Një ligjërues fetar dhe shumë i ditur, po u jepte mësim ndjekësve të tij. Një moment, dikush nga të pranishmit fillon ta ofendojë pa pushim. Ligjëruesi nuk ia ktheu fare, thjesht e dëgjoi dhe vijoi mësimin. Në fund të seancës, një djekës i devotshëm e pyet: O njeri i zotit, pse e durove dhe nuk ia ktheve atij njeriu të paedukatë me të njëjtën mënyrë? Ligjëruesi i tha: Sepse nuk e kisha mendjen fare tek ai, por
tek ti. Kam një lajm shumë të hidhur. I habitur dhe i trembur njëkohësisht, ndjekësi kërkoi me insistim të mësojë lajmin e hidhur. Ligjëruesi i tregoi: Më vjen keq të të them se pas shtatë ditësh ti do të ndërrosh jetë. I hutuar nga kjo që dëgjoi, ndjekësi nuk po i besonte veshëve. Gjithsesi, nuk mund të dyshonte tek mësuesi i tij i fesë, ai ishte shumë i ditur dhe besimtar. I përhumbur, përshëndeti ligjëruesin dhe u
largua. Nuk i hiqej nga mendja kjo që sapo mësoi, u mërzit jashtë mase. Gjithsesi vendosi që ditët e mbetura të jetës së tij, ti shfrytëzojë më së miri. Vizitoi të dashurit e tij të gjithë, ndihmonte kë ti dilte përpara, sillej mirë me njerëzit dhe u mundua ti plotësojë vetes dëshirat që nuk i kishte realizuar. Koha iku shpejt dhe ditën e shtatë, vendosi të takojë për herë të fundit ligjëruesin e tij. Pasi u përshëndetën,
ligjëruesi e pyeti nëse kishte debatuar me njeri këto ditë. Ndjekësi iu përgjigj menjëherë: Po çfarë debati, nuk kisha kohë për të humbur me të tilla gjëra. Jam sjellë mirë me të gjithë dhe kam ndihmuar kë të mundja. Vizitova të gjithë të afërmit e mi dhe i jam lutur shumë Zotit. Ligjëruesi vijoi: Të lumtë, Zoti të dhëntë shëndet dhe jetë të gjatë! Ndjekësi u habit nga ky urim dhe e pyeti: E si mund ta kem jetën e
gjatë kur sot është dita ime e fundit? Ligjëruesi iu përgjigj: Ishte vetëm një mësim bir, askush nuk e di se kur e ka ditën e fundit. Por ama nuk duhet të harrojmë që mund të jetë e fundit. Unë prandaj nuk humb kohë e të debatoj me njerëzit, gjithmonë sillem mirë me ta sikur kjo të ishte dita e fundit e jetës sime. Shpresoj që ju ka pëlqyer miq dhe ju ftoj të vazhdoni të lexoni edhe këto pak rreshta: Një ujk po hante i
babëzitur dhe një kockë i ngeci në fyt. Ai nuk e kapërdinte dot poshtë e as nuk e nxirte dot jashtë, dhe sigurisht ai tashmë nuk mund të hante asgjë. Kjo ishte një situatë tejet e vështirë për ujkun e babëzitur. Ai nxitoi tek lejleku. Ujku ishte i sigurtë se lejleku me qafën dhe sqepin e tij të gjatë do ta kishte shumë të thjeshtë që t’ia nxjerrë kockën nga fyti. Ai i tha: Do të të shpërblëj shumë zemërgjerësisht, nëse ti do
të ma nxjerrësh kockën nga fyti. Lejleku, me thënë të drejtën e kishte pak të vështirë të fuste kokën e tij në gojë të ujkut, asnjëherë nuk i dihet. Megjithatë, duke qenë një kafshë besnike lejleku pranoi dhe ia nxorri kockën nga fyti. Pasi mbaroi, ujku filloi të largohej. Lejleku e pyeti i habitur: Ej, po shpërblimi im? Kafsha e egër iu kthye duke ulëritur lart e poshtë: Çfarë? A nuk e more shpërblimin? A nuk të mjafton që
të lejova ta nxjerrësh kokën nga goja ime? Mësimi: Mos prit shpërblim nga dikush që nuk njeh nder. Të shoqërohesh me njerëz egoistë nuk do të të shërbejë për asgjë. Faleminderit që më ndiqni miq dhe ju rikujtoj që unë i lexoj komentet dhe mirëpres opinionet tuaja në lidhje me dy tregimet më sipër. Ju uroj vetëm të mira dhe mos harroni këshillën tonë të famshme dhe shumë të vyer: mendjen në vend, tjerat rregullohen.
Jeto I Lumtur.al