NJERIU I DUHUR…..

Jil
Jil
2 Min Read

“Një ditë takojmë personin e duhur. Qëndrojmë indiferentë, sepse nuk e kemi njohur. Shëtisim me personin e duhur nëpër rrugët e periferisë dhe na bëhet zakon, pak nga pak, të shëtisim së toku përditë. Hera-herës, pa e pasur mendjen, pyesim veten në mos vallë po shëtisim me personin e duhur, por na duket që jo, aspak. Jemi tepër të qetë; toka dhe qielli kanë ndryshuar; minutat dhe orët rrjedhin qetësisht pa na prekur kushedu se çfarë në zemër. Sa e sa herë jemi gabuar: kemi pandehur të kemi ndeshur personin e duhur, ndërsa nuk paskësh qenë i tilli. Dhe, në prani të atyre personave kinse të duhur, binim të rrëmbyer prej një trazire aq të vrullshme sa nuk na mbetej më fuqi për të menduar; na dukej vetja si të qenkëshim duke gjalluar mes një vendi ku ka rënë zjarr: pemë, shtëpi dhe objekte flakërinin rreth nesh. Mandej befas zjarri fikej, nuk mbetej veçse një grusht prush i vakët: mbas shpinës sonë viset e djegura janë aq të shumta sa as mund t’i numërojmë. Tani asgjë nuk digjet rreth nesh. Për javë dhe muaj kalojmë ditë me personin e duhur, pa e ditur që është i duhuri. Gjëja e çuditshme, me personin e duhur, është se ndjehemi gjithnjë aq mirë e aq në paqe, duke marrë frymë aq bollshëm, me ballin që për vite na ishte rrudhur e vruguar tanimë të shtendosur; dhe nuk lodhemi kurrë së foluri e së dëgjuari. E kuptojmë që nuk kemi pasur kurrë një raport si ky me asnjë qenie njerëzore; mbas pak të gjitha qeniet njerëzore na dukeshin aq të parrezikshme, aq të thjeshta e aq të vogla. Ndërsa ky person, teksa ecën përbri nesh me hapin e tij të ndryshëm prej tonit, me profilin e rreptë, ka një aftësi të pafund për të na bërë çdo të mirë dhe çdo të keqe. E megjithëkëtë ndjehemi pafundësisht të qetë”.

 

Natalia Ginzburg

 

Jeto I Lumtur

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *