Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano mesditën e sotme, inspektoi masat e marra për rritjen e sigurisë në plazhe, pas tragjedisë në Himarë ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, mesditën e sotme, inspektoi masat shtesë të marra për rritjen e sigurisë në plazhe.
Drejtor Nano, i shoqëruar nga Drejtori i DVP Lezhë Drejtues i Parë Vehbi Bushati, zhvilloi një takim me efektivët e Stacionit të Policisë Shëngjin dhe më pas me efektivët e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin, të cilët mbulojnë zonën bregdetare në qarkun Lezhë.
Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano ka kërkuar nga drejtuesit e strukturave, si dhe nga efektivët, angazhim dhe përkushtim, për zbatimin me rigorozitet të detyrave dhe masave shtesë të caktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve që cënojnë jetën dhe shëndetin e pushuesve në plazhe e zona turistike.
Nano: “Punoni me përkushtim dhe përgjegjësi, pasi detyra që kryeni është sa e vështirë, aq edhe fisnike.
Me punën, angazhimin dhe ndershmërinë tuaj keni në dorë jetën e sigurinë e qytetarëve, imazhin e Policisë së Shtetit, si dhe të vendit në tëresi. Ky është privilegj, po aq edhe përgjegjësi, ndaj mos neglizhoni askënd, cilido qoftë, zbatoni ligjin e vetëm ligjin dhe shërbejuni qytetarëve me përkushtim e humanizëm.”
Më pas, Drejtor Nano, bashkë me drejtuesit e policisë vendore dhe kufitare, ka inspektuar nga afër masat shtesë. Gjatë vrojtimit me dylbi dhe kamera nuk është konstatuar asnjë mjet lundrues në zonat ku ka pushues.
Policia e Shtetit është e vendosur për ta çuar deri në fund këtë operacion masiv të ndërmarrë ndaj mjeteve lundruese, i cili do të kalojë në disa procese verifikimi dhe më pas mjetet lundruese që do të rezultojnë të rregullta, do t’i nënshtrohen rregullave të reja për të zbatuar me rigorozitet largësinë nga perimetri i sigurisë së pushuesve.
burimi lajmifundit.al/