Dy mjekë u arrestuan dje në QSUT me akuzën se morën ryshfet për të futur pa radhë pacientët për të bërë skaner.
Mjeku Nazmi Metaliu 63 vjeç dhe tekniku i shërbimit të Imazherisë në QSUT Astrit Mansaku 51 vjeç, të dy banues në Tiranë u arrestuan pas hetimit.
Shkak i arrestimit është bërë denoncimi i një emigranti shqiptar që jetonte dhe punonte në Greqi. Ai ishte rikthyer ditët e fundit në Tiranë dhe kishte ndjerë dhimbje në trup.
Dyshimet i kishte për shkak të një aksidenti disa vite më parë. Fillimisht iu drejtua spitalit të Traumës, por mjekët e drejtuan për në QSUT, ku takoi mjekun Nazmi Metaliu i cili i premtoi se mund ta fuste pa radhë për të bërë skanerin në këmbim të lekëve që duhet të jepte.
Në të kundërt duhet të priste radhën që shkonte disa muaj. Përballë kësaj, qytetari denoncoi rastin që çoi mjekët në qeli.
Pjesë nga përgjimi
Astrit Mansaku: A e di çfarë ke bërë ti?
Nazmi Metaliu: Kam pushkatu veten, të kam pushkatu dhe ty.
Astrit Mansaku: Ne sikur t’ja bëjmë vetes është tjetër histori, por me ja bë shokut….
Nazmi Metaliu: Pse du unë me ja bo vetes…Paska qenë njeri i pabesë or burrë. Më tha hajde merre një kafe, po lene thashë unë.