Tiranë- Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me akuzat që i ka bërë opozita pas lidhjes së tij me ish-zyrtarin e arrestuar të FBI, Charles McGonigal.
Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Rama ka përsëritur se nuk ka asnjë lidhje me McGonigal dhe asnjë gjë që flitet nuk është e vërtetë.
“Ky mal i madh mbarsur me fantazi dhe ligësi, do të pjellë edhe më pak se një mi. Fatmirësisht gjithçka është e hetuar në SHBA dhe konkluzioni i hetimit s’ka asnjë lidhje me mua a me qeverinë shqiptare. Paratë e marra prej rusëve nga PD nuk janë shpikje, po fakt po ashtu i hetuar dhe i provuar botërisht. Deri dje thoshin Edi Rama dhe Sorosi, sot thonë Edi Rama dhe zyrtari i lartë i FBI, por si njëra si tjetra bien përtokë përballë fakteve të hetuara. Në këtë çështje zyrtari i lartë i FBI nuk akuzohet fare për asgjë nga këto që fliten me ulërima në Shqipëri, po vetëm për konflikt interesi në marrjen e borxhit nga miku i vet shqiptaro-amerikan dhe mosdeklarim të tij. Edhe më qesharake janë akuzat për përfshirjen e oligarkut rus në biznes në Shqipëri, si pjesë e këtij konspiracioni agjenturor të tipit kinematografik “Fije që priten”. Kompania Strabag është flamuri më i madh i ekonomisë austriake, e cila ashtu si edhe kompania Trema operojnë në Shqipëri prej dekadash. Të lidhësh një aksioner rus të këtyre kompanive (i cili së fundmi është përjashtuar prej tyre si një individ nën sanksionet e luftës) me këtë përrallë që edhe pa të është krejt groteske, do të thotë të jesh në dëshpërim total. Dihet që njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe kjo histori është pasqyrë besnike e dëshpërimit të opozitës sonë, e cila përveçse s’ka kokë ka mbi kurriz çështje madhore si Gërdeci, 21 janari apo edhe lidhjet ruse qysh në kohën kur bashkoi votën me partinë e Putinit në Këshillin e Europës kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjitha këto janë fakte që kërkojnë drejtësi, jo teori konspiracioni dhe s’ka teori konspiracioni që i varros dot në harresë.” ka shkruar kryeministri Edi Rama.
noa.al