
Edi Rama: Ne duhet të jemi dhe të ndjehemi mirë që i kemi dhënë një tjetër fytyrë Shqipërisë, të gjitha zonave të Shqipërisë. Që Berati sot të jetë mbi 300 mijë turistë, vizitorë të brendshëm ose të huaj, nuk ka rëndësi, që vijnë këtu dhe që shënohen këtu. Kush e imagjononte vetëm 5-6 vite më parë? Kush e imagjinonte kur ne për të ardhur këtu për të kërkuar besimin e njerëzve nuk kishte rrugë nga të vije. Ju kujtohet apo jo?
Sot 300 mijë e kusur turistë vetëm këtu dhe po ju them që në Berat, ky numër do të shkojë 600 mijë, 700 mijë, 800 mijë dhe kjo pasuri vetëm sa ka filluar të zgjohet si një pasuri që i shërben njerëzve për të krijuar mirëqenie sepse kësaj i shërben turizmi. Në mes të gjithë kësaj pasurie, çdokush duhet të ketë një mundësi dhe të jeni të sigurtë që çdokush do ta gjejë një mundësi.
Nëse sot ne jemi në kohën kur më shumë ikin se sa vijnë nga Shqipëria, koha kur më shumë do të vijnë se sa do të ikin, nuk është e largët sepse edhe fantazia e madhe që “nisu, ik atje se atje është fushë me lule”, po shkon drejt shterrimit jo sepse nuk ka si vendi yt, por ky nuk mund të jetë një imponim, kjo duhet të jetë një mundësi dhe që ky vend të ofrojë një mundësi më shumë se sa çdo vend tjetër duhet ende shumë kohë, punë dhe durim, por ama situata ku jemi sot na mjafton për të thënë që rruga është hapur dhe këtë rrugë e kemi hapur ne, nuk e kanë hapur të tjerët./tvklan.al