Shumica e shqiptarëve po vuajnë pasojat e rënies së kursit të euros. Të prekura direkt janë familjet që jetojnë me dërgesat e emigrantëve dhe ata që kanë depozita në euro ndërsa efektet pozitive po i përjetojnë një pakicë e importuesve që blejnë jashtë me euro mallra të cilat i shesi në lek në Shqipëri dhe ata që i kalojnë pushimet jashtë.
Rënia drastike e kursit të këmbimit të euros në tregun shqiptar përllogaritet të ketë dëmtuar ekonomikisht gjysmën e popullatës e cila në numërimin e fundit zyrtar në vitin 2021 rezultoi 2.8 milionë banorë.
Referuar pyetësorit të Barometrit të Sigurisë Kombëtare të një viti më parë, sipas Eduart Zaloshnjes, anketimi rigoroz në terren, evidentoi se 53% e familjeve shqiptare merrnin dërgesa valutore nga të afërmit emigrantë.
Me një përllogaritje të përafërt, rreth 1.4 milionë banorë të Shqipërisë të jenë dëmtuar nga rënia drastike e Euros prej mëse 17% brenda një viti kalendarik. Konkrtetisht, një familje që merrte nga të afërmit emigrantë 100 Euro në muaj, tani i shkëmben me 100 mijë lekë të vjetër, e jo me 117 mijë lekë të vjetër, siç shkëmbeheshin me kursin e një viti më parë. Për më tepër, rritja e inflacionit të çmimeve bën që familjet që mbahen me dërgesat valutore të emigrantëve, me 100 mijë lekë të blejnë më pak ushqime, çka përbën një goditje të dyfishtë financiare për këtë kategori. Efektet negative të rënies së euros nuk kufizohen me kaq, pasi rreth 500 mijë shqiptarë i kanë depozituar kursimet e tyre në bankat e vendit në valutë.
Ata që kanë kursyer 1 mijë euro deri një vit më parë, humbasin pasi depozita e tyre nuk vlejnë më 1 milion e 170 mijë lekë të vjetra, por vetëm 1 milion lekë, bazuar në kursin aktual të euros. Ndikim serioz rënia e kursit të euros ka edhe tek fasonët, dhe hotelierët, të cilët i arkëtojnë të ardhurat në Euro, duke mbledhur 17% më pak se një vit më parë.
Megjithëse numri i atyre që humbasin nga luhatja e euros është më e lartë pasi përfshin edhe pagamarrësit në euro rreth 65 mijë qytetarë, ata që fitojnë janë rreth 50 mijë importues që i blejnë mallrat në tregun e jashtëm me valutë të zhvelërsuar dhe i shesin mallrat në tregun e brendshëm me në lek të mbivlerësuar.
Të fituar nga kjo situatë mund të jenë edhe kredimarrësit në euro, të cilëve këstet u kushtojnë më pak dhe ata shqiptarë që kanë mundësinë të shkojnë jashtë vendit për pushime, pasi mund t’i blejnë më lirë Eurot që u duhen për të shpenzuar në vendet ku shkojnë.
Ekspertët e lidhën rënien e euros me zgjedhjet e 14 majit, por pikiata vazhdoi jashtë parashikimeve edhe pas zgjedhjeve duke arritur nivelin më të ulët më 18 korrik. Një vit më parë në 21 korrik 2022 euro këmbëhej me 119.1 Lekë ndërkohë që për vitin 2023, dita me kursin më të fortë të euros ishte 6 janari 2023 ndërsa pas luhatjeve disa javore, rënia filloi në datën 21 mars për të vijuar deri ditët e fundit ndërsa ekspertët parashikojnë se kjo tendencë do të vijojë gjatë verës.