Rrëmbimi i tre policëve nga bandat serbe “i hedh benzinë” zjarrit

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

rëmbimi i 3 policëve nga Kosova, që pretenduan se kaluan kufirin, të cilin Serbia nuk e njeh, por që çuditërisht në këtë rast i leverdiste ta njihte, është vetëm incidenti i fundit, në një kalvar të vazhdueshëm, përplasjesh mes dy shteteve fqinje. Tensionet u ndezën edhe më shumë pas reagimeve zyrtare të Serbisë dhe “mburrjes” së Policisë Serbe për operacionin. Megjithatë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, këmbënguli se ata ishin rrëmbyer dhe dërguar në Serbi. Siç shkroi media prestigjioze “Politico”, “kjo është vetëm kthesa e fundit në një krizë spirale që kërcënon të ringjallë një përplasje të dhunshme midis dy armiqve të betuar, pavarësisht përpjekjeve intensive të SHBA-së dhe Evropës për të rivendosur qetësinë”. Një ping-pong akuzash, vazhdoi pa ndërprerë, pasi nuk ka patur asnjë informacion zyrtar për tre policët, dhe fati i tyre ka mbetur i rrethuar nga misteri. Tensionet janë demonstruar më së miri në pikat kufitare, ku dhjetëra kamionë, me targa të Serbisë kryesisht, nuk u lanë të futeshin në Kosovë, pas masave shtrënguese të Prishtinës. Gjë që tregon qartë se serbët, mbase edhe pa dëshirën e tyre, po vuajnë pasojat e veprimeve symbyllurazi të liderit të tyre, që “fokusin” e karrierës së tij politike, ka pa dyshim Kosovën.

Akuzat e Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e nisi ditën e djeshme duke publikuar foton e hartës ku ndodhi rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Kurti tha në një konferencë për media, krahas ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, se rrëmbimi kishte ndodhur brenda territorit të Kosovës dhe se policia në bashkëpunim me KFOR kishte gjetur gjurmët e policëve serbë, si edhe ushqimet që ata kanë ngrënë dhe prangat. Kurti, siç ka bërë shpesh së fundmi, nuk i kurseu kritikat për ndërkombëtarët, duke thënë se nuk e kupton përse hesht KFOR. Ai tha se qëndrimi i tyre nuk ndihmon për depërshkallëzimin e situatës. “Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, as të nesërmen të mos kemi kurrëfarë deklarate zyrtare. Mund të jetë edhe shkelje e rezolutës por është komandanti i KFOR-it që për çdo deklaratë përmend rezolutën 1244. Ne e konsiderojmë kushtetutën e vendit dhe ligjin si të drejtë dhe përgjegjësi tonën”, tha Kurti. Po ashtu, ai mohoi mundësinë e një shkëmbimi mes 3 policëve të rrëmbyer në veri të vendit, me të dyshuarin serb të arrestuar për dhunën në datën 26 Maj, duke thënë se Kosova, si vend demokratik, nuk bën “pazare” të tilla. “Ne nuk bëjmë pazare. Nuk di që Beogradi ka kërkuar ndonjë lloj shkëmbimi. Atë edhe mund ta kërkojnë dicka të tillë, por ju nuk keni nevojë të paraqitni këtë si mundësi sepse jeni qytetarë të republikës sonë. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur?”, tha Kurti, duke refuzuar kategorikisht.

Masat shtrënguese

Kryeministri po ashtu deklaroi se vendimi për të ndaluar kalimin hyrja e kamionave nga Serbia por dhe e makinave me targa serbe nuk janë masa ekonomiko-tregtare, por të sigurisë për shkak se gjendja nuk është aspak e zakonshme. “Për ne është e qartë që agresioni po vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë ilegale dhe është e mundshme në vendkalime kufitare. Si masa të sigurisë kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolle të shtuara deri në një moment të dytë” tha Kurti. Vendimi u mor ditën e rrëmbimit, ndonëse presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se Kurti nuk mund të ndalonte importin e mallrave serbe pasi në këtë mënyrë po shkelte marrëveshjen e Ceftas dhe rregulloret e tjera ligjore. Si pasojë e vendimit, dhjetëra kamionë, me targa të Serbisë dhe me të Kosovës, u panë të parkuar në anën serbe të kufirit në Merdare, pasi nuk u lanë të futen në Kosovë për orë të tëra.

Thirrjet për ndërkombëtarët

Para se të raportonte në Kuvend, kryeministri i Kosovës, vizitoi familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, tre policëve të rrëmbyer. Kurti siguroi familjarët se ishte në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e tyre. Sakaq, në Kuvend, ai përsëriti thirrjet për KFOR, që të marrë përgjegjësinë dhe të kthejë në Kosovë tre policët. Në fjalën e tij, Kurti tha se përgjegjësia e mbrojtjes së vijës kufitare është e tyre, duke shtuar shtoi se KFOR nuk duhet të heshtë ndaj një sulmi në të cilin e kishte mandat ta parandalonte dhe në rast se nuk meren masa, do të ishte një mohim i përgjegjësisë ndërkombëtare. Po ashtu, ai tha se kishte ardhur nga takimi me ambasadorët e QUINT-it, përfaqësues diplomatik e zv.ambasadorë të shteteve të tjera, takim në të cilin ai shprehu indinjatën e tij.

Reagimi i Vuçiç

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një konferencë për media ka folur për ngjarjen sërish, dhe pretendoi se policët kosovar kishin shkuar në tokën serbe dhe se sipas marrëveshjes ushtarako-teknike ata duhet të raportojnë për çdo mbërritje të tyre një kilometër nga kufiri. Ndër të tjera Vuçiç tha se sipas tij policët po mblidhnin kërpudha dhe se GPS-i nuk funksiononte. Vuçiç pretendoi se ushtria serbe nuk e ka kaluar kufirin dhe se s’është futur brenda territorit të Republikës së Kosovës. Sipas presidentit serb, “tre policët e Kosovës janë arrestuar pa asnjë të shtënë” dhe se “arrestimi i tyre ka ndodhur thellë në territorin e Serbisë, 19 kilometra nga toka, dhe 4.1 kilometër vijë ajrore nga kufiri”. Po ashtu, edhe ai ka patur një takim me QUINT, ku u ka kërkuar ambasadorëve të vendeve që të pengojnë kryeministrin Albin Kurtin që të nisë një luftë në Ballkan.

Reagimi i DASH

Departamenti Amerikan i Shtetit kërkoi mbrëmjen e djeshme lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë kufitare të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe. Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa të menjëhershëm për të çtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.në konferencën e përditshme për shtyp.

Takimi në Bruksel

Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell e ka quajtur “arrestim” rrëmbimin e tre policëve nga forcat serbe. Në reagimin e tij, Borrell tha se ndodhet në kontakt të ngushtë me komandantin e KFOR-it, Kosovën  dhe Serbinë për të marrë informacion lidhur me ngjarjen. “Jemi në kontakt të ngushtë me komandantin e KFOR-it dhe të dyja palët në mënyrë që të shohim se çka ka ndodhur në të vërtetë që ka çuar në këtë arrestim”, tha ai. Më tej, në deklaratën e tij shefi i diplomacisë së BE-së bëri të ditur se javën e ardhshme do t’i ftojë të dy shtetet në një “takim në Bruksel, për menaxhim krize”.

Akuzat e Von Cramon

Ndërsa, Raportuesja e BE-së për Kosovën, Viola von Cramon, ka kërkuar që Serbia të lirojë menjëherë 3 efektivët e arrestuar. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Cramon shkroi se është e paligjshme hyrja në territorin e Kosovës nga ana e forcave serbe dhe se Beogradi duhet t’i lërë të lirë efektivët. Më tej ajo shton te se ky veprim nga ana e Serbisë vjen si rezultat i një autokrati si Vuçiç që ka presion brenda vendit të tij.“Çfarë bëjnë autokratët kur janë nën presion brenda vendit? Ata kërkojnë mënyra dhe mjete për të larguar vëmendjen nga problemet në shtëpi. Një rast klasik i kësaj duket të jetë incidenti në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi me ironi ajo.

“Ukraina tjetër”

Sakaq, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak ka deklaruar se nuk duan një Ukrainë tjetër, duke iu referuar tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka theksuar se po punojnë intensivisht për qetësimin e situatës në Kosovë pasi nuk duan dhunë. Më tej ai ka shtuar se po presin informacione nga KFOR-i. “Nuk duam të sjellim vendime pa i ditur të gjitha faktet. Po bëjmë gjithçka që mos të ndodhë një Ukrainë tjetër, përkundrazi. Për këtë shkak ne po e promovojmë procesin e normalizimit. Normalizimi është e kundërta e Ukrainës”, deklaroi Lajçak.

Jehonë në mediat ndërkombëtare

Rrëmbimi i tre policisë të Kosovës nga forcat serbe ‘Kobra’ ka marrë vëmendjen e mediave të huaja. “Reuters” ka shkruar një artikull për tensionet e fundit si edhe deklaratave të zyrtarëve pas kësaj ngjarje të rëndë, duke shkruar se do të jetë i vështirë “rikthimi në realitet”. Nga ana tjetër, “Politico”, ka shkruar se “incidenti është vetëm kthesa e fundit në një krizë spirale që kërcënon të ringjallë një përplasje të dhunshme midis dy armiqve të betuar, pavarësisht përpjekjeve intensive të SHBA-së dhe Evropës për të rivendosur qetësinë”. Nga ana tjetër britanikja “Financial Times” ka shkruar: “Një kryengritje e armatosur është gjithmonë në tryezë dhe situata është veçanërisht e pasigurt tani”.

Scroll to Top