Rrethon me gardh ullishten e qytetares dhe i nxjerr pistoletën. Kur vjen policia, ‘trimi’ ia mbath

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Merr lajme ekskluzive  

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë  duke klikuar këtu

Emisioni “Stop” në Tv Klan shkoi në Karroq, Godolesh, rreth 2 km larg Elbasanit.Liljana Mato, një prej 16 trashëgimtareve të familjes Qosja ka një ullishte rreth 16 dylymë në këtë zonë. 12 dylymë i ka shfrytëzuar, ndërsa 4 prej tyre i ka zaptuar Herald Saraçi. Saraçi thotë, se e ka çuar çështjen në gjykatë, por Liljana thotë, se ka certifikatë pronësie. Në Gjykatë nuk ka asnjë proces të regjistruar për këtë rast.

Liljana thotë, se kur vendosi beton, për të rrethuar ullishten, Heraldi nxorri armën e shërbimit. Prej 4 vjetësh, ajo nuk hyn dot në pronën e saj, edhe pse zotëron certifikatën e pronësisë.

Liljana: Para 4 vjetësh, ne erdhëm që të gjithë këtu dhe kur shikojmë, gardhi ishte me beton. Ishin me kolona betoni. Edhe të gjithë, si unë si motra, si goca e tezes, erdhëm. Unë me gjithë motrën kemi filluar që të shkulnim shtyllat e betonit, ai na erdhi na drejtoi revolen. Ka qenë në shërbim në atë kohë.

Gazetarja: Dhe çfarë bëtë ju në ato momente?

Liljana: Në ato momente burri  i motrës ka marrë  policinë. Kur erdhi policia poshtë, ai iku me vrap.

Gazetarja: Paska qenë trim ai!

Liljana: Me gratë. Se me burrat jo, po me gratë se ne gratë ishim.

Gazetarja: Po pastaj e ndoqët, bëtë ndonjë denoncim në polici apo e mbyllët me kaq?

Liljana: Ne e bëmë thirrjen e policisë, por e mbylli vetë policia pastaj. Ku të ankoheshim, s’kishim ku të ankoheshim.

I plotfuqishmi i zonës, erdhi dhe iku dhe çështja u mbyll, pasi Herald Saraçi konsiderohej i paprekshëm.

Gazetarja: Nga 2018 deri më sot, ju…

Liljana: Nuk kemi marrë sikur kokrrën e ullirit. Nuk na ka lënë që ne të hyjmë nga gardhi matanë.

Gazetarja: Blloqe betoni nuk po shoh sot.

Liljana: I ka hequr dhe ka vënë hekurat. Vuri hekurat dhe ka vënë dhe telat.

Saraçi është shkarkuar nga vettingu. Më parë ka qenë në SHISH, ish-komisioner dhe po hetohet nga SPAK. /tvklan.al

Scroll to Top