Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Çdo familje që harxhon më shumë se 800 kWh energji elektrike, nga 1 tetori do të paguajë me çmimin e tregut.
Lajmi u njoftua nga zv/kryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Energjsië dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, në një konferencë për shtyp më 8 shtator.
Kjo do të thotë se nga vendimi preken të gjithë ata që paguajnë fatura të energjisë elektrike më shumë se 9 120 lekë në muaj. Pra, nëse çdo kilovat i konsumuar mbi këtë fashë do të kushtojë 4.4 herë më shumë në krahasim me çmimin aktual.
Siç lajmëroi Balluku, fasha do të zgjasë të paktën deri kmë 31 dhjetor të këtij viti e do të rishikohet më pas.
“Cdo kilovator mbi 800 kilovator është 42 lekë në total. Kjo do të jetë deri më 31 dhjetor më pas do analizohet sërish, për të parë se ku jemi,” tha Balluku.
Zv/kryeministrja bëri me dije që do të ketë gjithashtu një taskforcë në terren për humjet në rrjet.
Më vonë, në një bashkëbisedim online me qytetarë dhe gazetarë, kryeministri Edi Rama tha më 17 shtator se janë rreth 40 mijë familje që konsumojnë mbi 800 kwh dhe në periudhën e pikut ky numër shkon në rreth 60 mijë.
“Jemi i vetmi vend që ka marrë vendim të prerë për t ë mos e prekur çmimin e energjisë për familjarët. Kemi mbi 90% konsumatorë familjarë që konsumojnë më pak se 800 kwh dhe kemi një numër konsumatorësh rreth 4% që konsumojnë më shumë se 800 kwh. Flasim për konsumatorë familjarë me vila, pishina, me oborr të madh, ndriçim dekorativ për të cilët nuk mund të paguajë më buxheti i shtetit dhe taksapaguesit. Çdo kË mbi 800 do të paguhet me çmimin e tregut. Me këtë synojmë një presion për të ulur konsumin e tepërt në kushte krize. Sikundër e kemi përsëritur disa herë”, kishte thënë Rama më herët.
Ndërkohë, Furnizuesi i Shërbimit Universal është njoftuar për miratimin e tarifave të reja të shitjes së energjisë dhe për konsumatorët familjarë që konsumojnë më shumë se 800 kwh çmimi do të jetë 34.3 lekë kwh.
Siç duket edhe në të dhënat e FSHU, përgjatë muajit tetor, kur pritet të hyjë në fuqi edhe aplikimi i fashës, janë saktësisht 49 334 familje që harxhojnë më shumë se 800 kwh energji elektrike, pra thuajse 50 mijë. Ndërkohë, në muajit nëntor e më pas në dhjetor, janë 71 278 familje që harxhojnë më shumë se fasha e vendosur nga qeveria.
Pra janë thuajse 9% e familjeve që konsumojnë mbi 800 kwh dhe jo 4% siç ishte deklaruar më herët. Rreth 9% e familjeve, nga 1 tetori do të paguajnë më shumë në faturën e energjisë elektrike, të paktën deri në fund të këtij viti.