Numri i emigrantëve të vdekur të cilët u gjetën në një kamion në Teksas ka arritur në 53. 40 nga viktimat ishin meshkuj dhe 13 femra. Trupat u zbuluan të hënën pasdite në periferi të San Antonio, në atë që besohet të jetë episodi më vdekjeprurës i trafikimit të emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë. Autoritetet kanë vendosur në pranga shoferin e kamionit i cili akuzohet për kontrabandim emigrantësh, me pasojë vdekje. Homero Zamorano është paraqitur si emigrant teksa qëndronte i fshehur në kamion.
Sipas një zyrtari meksikan për migrimin, shoferi Zamorano i cili është nga Teksasi ka tentuar të prezantojë veten si një nga të mbijetuarit por më pas është vendosur në prangat e policisë pasi nuk tregoi asnjë dokument identifikimi.
Por identifikimi i të vdekurve ka qenë i vështirë, duke ilustruar sfidat me të cilat përballen autoritetet për gjurmimin e njerëzve që kalojnë kufijtë në mënyrë klandestine. Fshatrave të largëta u mungon shërbimi telefonik për të kontaktuar anëtarët e familjes dhe për të përcaktuar vendndodhjen e emigrantëve të zhdukur.
Kamioni, i cili ishte i regjistruar në Alamo, Teksas, por kishte targa dhe logo të rreme, mbante 67 emigrantë. Autoritetet mendojnë se kamioni kishte probleme mekanike teksa kishte qëndruar për një kohë të gjatë pranë një hekurudhe.
Tragjedia ndodhi në një kohë kur një numër i madh emigrantësh kanë ardhur në SHBA, shumë prej tyre duke marrë rreziqe për të kaluar lumenjtë dhe kanalet. Vetëm në maj numri i emigrantëve që vinin nga Amerika Qendrore arriti në 240 mijë një shifër rekord gati 1/3 më shumë se një vit më parë.
San Antonio ka qenë një skenë e përsëritur e kalimit të emigrantëve të paligjshëm të cilët kërkojnë të vijnë në SHBA për shkak të varfërisë, dhunës dhe konflikteve. Dhjetë emigrantë vdiqën në vitin 2017 pasi u bllokuan brenda një kamioni të parkuar në një San Antonio Walmart. Në vitin 2003, trupat e 19 emigrantëve u gjetën në një kamion në jug-lindje të qytetit.
Klan News