JiL.al - Jeto i Lumtur

Shoku i Lear Kurtit: Familja nuk u lejua të shihte trupin as në morg dhe as në shtëpi

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Andi Llabuti, gazetar dhe shoku i të ndjerit Lear Kurti, i cili humbi jetën pas shoqërimit nga policia, thotë se lajmin e ka marrë vesh mëngjesin e së enjtes kur një shok i përbashkët e telefonoi dhe i tha se policia e kishte kapur “Larin” siç dhe ata e thërrisnin dhe e ka rrahur deri në vdekje.

Në një rrëfim në MCN Tv, Llabuti tregon se për shkak se ishte edhe përgjumësh nuk e pranonte dot vdekjen e mikut të tij.

“Nga policia apo kushdo që i dirigjon këto, tashmë çfarë nuk pritet, duke qenë se është e njëjta situatë si me Klodian Rashën, vetëm se po përsëritet pas dy viteve

Informacioni i parë i cili është më pranë të vërtetës, se sot është bërë modë që ndalohen makinat pa asnjë shkak thjesht se i teket policit, e kanë ndaluar, ky nuk ka pranuar, siç e kanë çunat e sotëm, ‘mos na mërzit sot’.

Këta i kanë zënë pritë diku nga zona e ‘Don Boskos’, duke lajmëruar dhe patrulla të tjera. Në makinë thuhet se ka qenë i shoqëruar me një shok tjetër, pasi është kapur nga policët e futën në furgon dhe kanë ushtruar dhunë intensive duke i shkaktuar dhe vdekjen.

Kur ka shkuar te Spitali i Traumës ka shkuar pa asnjë shenjë jete. Kur familja thotë se djali ishte si luan dhe nuk vuante nga asnjë sëmundje, thjesht logjika ku të çon.

Pretendimi i parë ishte se vuante nga epilepsia, më pas u ndërrua. U tha se gëlltiti një qese kokainë, sot u bënë dy qese, u ndërruan. Çdo ditë po del një alibi e re. U tha që gëlltiti një qese, këta nuk i qëndrojnë korrekt asaj që thonë, më pas na del dy qese. Nuk e di ku ka duan të dalin.

Nëse është marrë me lëndë narkotike dhe nuk është kapur nga policia, turp t’i vijë policisë që nuk e ka kapur. Nëse është marrë dhe e ka kryer dënimin, ai e ka kryer dhe kaq.

Nëse ky ka pasur një të kaluar për lëndë narkotike, jo se të teket dhe e ndalon. Nuk po marrim vesh se sa qese kishte dhe sa kas gëlltitur fare mirë mund ta hidhte jashtë pse ta gëlltiste.Ka pasur më parë raste që i kanë gëlltitur dhe nuk kanë shkaktuar vdekje, ka treguar ekspertiza se nuk ka pasoja.” -thotë ai.

Llabuti shtoi më tej se në morg ka qenë dhe ai për të raportuar për portalin ku punon dhe se nuk lejohej asnjë person të futej brenda, madje as të atin e tij nuk po e pranonin brenda.

“Unë që kam qenë dëshmitar për punën time, të atin e kam parë të vërtitej jashtë kangjellave dhe asnjë informacion nuk i jepnin. Ishte në gjendje shumë të rëndë. S’dija si të shkoja si shok apo gazetar. Kaluan rreth 30 minuta dhe ai mori një telefonatë dhe u largua. Pas 15 minutash e takova tek shtëpia funerale.

Familjarët nuk e kanë parë akoma trupin. Nuk i kanë lënë kurrsesi të futen brenda në morg. Te shtëpia funeraleve sipas informacioneve nuk është lejuar që të hapet kutia. Tradita e shqiptarit është që në momentin i fundit ta qajmë duke e prekur, puthur dhe lotuar. Në momentin e fundit të më thuash mos e hap kutinë, prit se më ka ikur shpirti, xhani.

Për aq kohë sa kam qenë aty jam i sigurt se prindërit nuk e kanë parë trupin. Te shtëpia e funeralit i ati pa dokumentin e portalit dhe u step. I thashë ‘jam çun Parku’, erdha vetëm të them ngushëllime. 

Më pas kapa shokun e vet dhe i thashë a ka mundësi ta takoj nënën e Learit, për t’i thënë ‘ju lutem mos i bëni homazhe por të bëni dhe një herë ekspertizën’ dhe të paktën të marrin dëmshpërblimin, se kjo ka mbetur.” thotë Andi Llabuti.

I pyetur se kush nuk i lejonte që të shikonin trupin e pajetë tha se  nuk di të japë një përgjigje, por se ndoshta i kanë trembur se mund të shihnin një kufomë të hapur dhe qepur.

“Por jam i bindur se kutia aty ka shkuar e vakumuar, e mbyllur mirë dhe ju kanë thënë të mos hapet. Se si e kanë thënë është arti i tyre.

U bëj thirrje familjarëve që të ndjekin rrugë ligjore për të bërë edhe njëherë ekspertizën e djalit të tyre. Nëse këmbëngulin mbase dhe më lart nga këtu, besoj se do e gjejnë të vërtetën.” thotë ai./MCN

Scroll to Top