Kejvina dhe Luizi e nisën “Big Brother Vip” si dy miq të mirë, por shpejt situata mes të dyve u tensionua. Madje, deri në atë pikë shkoi kjo marrëdhënie, ku Kejvina e goditi me shuplakë Luizin, duke sjellë edhe skualifikimin e saj nga loja. Që pas daljes së saj, Kejvina është zhdukur nga ekrani, ku ndryshe nga ish-banorët e tjerë nuk është ftuar në asnjë emision, madje as edhe në prime.
Por vetë modelja reagoi pak ditë më parë në lidhje me situatën dhe duhet thënë se nuk dukej aspak e penduar.
“Jeta vazhdon…, edhe nëse vdesim! Nuk jam penduar që hyra në BBV2. Që dola, sigurisht nuk jam penduar, kurrsesi! Shpulla që unë qëllova Luizin, jo vetëm që nuk i shkaktoi dëm, as plagë atij, përkundrazi, më ndihmoi edhe mua të dilja prej asaj “çmendine”! Në fakt, shpulla ime mbështolli me mjegull ‘rrenën’ e shekullit dhe që u shndërrua në lojë, ndërsa shpulla ime u gjykua si të ishte bomba e Hiroshimës!
Meqë Luizi, lavdi Zotit, gëzon shëndet të plotë dhe sukses të jashtëzakonshëm, falë aftësive dhe vullnetit të tij, mua më mbetet që t’u kërkoj falje publikisht vetëm fansave dhe mbështetësve të Luizit, meqë në fakt të vetmit që seriozisht janë lënduar prej shpullës dhe sjelljes sime, janë vetëm ata, Fansat!”, përfundon Kejvina.
Por nga ky moment shumë gjëra kanë ndryshuar, duke sjellë edhe një kthesë të fortë për modelen. Vetëm pak ditë më parë, një dron u pa në shtëpinë e “Big Brother”.
“Unë të dua dhe ti e di”, droni me këtë mbishkrim dhe me foton e Luizit dhe Kejvinës i dërguar mbi shtëpinë e “Big Brother Vip Albania” për Luiz Ejllin, ishte nga Kejvina Kthella.
Këtë e ka konfirmuar vetë motra e modeles, Dorisa Kthella, me anë të disa postimeve në “Instagram”.
“Fluturimi i parë arriti me sukses”, ka shkruar ajo krahas imazhit të dronit. Por çfarë bëri që Kejvina të ndryshonte mendim?
Që pas daljes së saj, modelja është ndeshur me komente dhe shumë kritika nga fansat e Luizit. Madje, ka pasur edhe probleme me “Instagram”-in e saj, duke ia mbyllur faqen. Gjithashtu, në rrjetet sociale që nga dalja e saj ka nisur një fushatë përbaltëse ndaj modeles, duke e atakuar në jetën e saj private. Duket se kjo situata ‘ka detyruar’ Kejvinën që të pajtohet me Luizin.
E duket qenë se këngëtari po vijon lojën i mbyllur, Kejvina ka zgjedhur që paqen ta vendosë publikisht duke i dërguar një dron. Ky gjest ka qetësuar disi fansat e shumtë të Luizit, që duhet thënë e kanë reduktuar ndjeshëm fushatën kundër modeles në rrjetet sociale.
Kujtojmë se natën që Kejvina la shtëpinë, situata u tensionua së tepërmi mes tyre. Vetë konkurrentja reagoi e indinjuar edhe ndaj produksionit.
Duket se këto përplasje kanë bërë që banorja mos të ishte prezente në spektakël, duke rrezikuar që të njëjta deklarata të forta t’i bënte edhe përpara kamerave. Në momentet e fundit është anuluar prania e saj në studio, derisa situata të qetësohej. Edhe regjisori i “Big Brother Vip”, Eduart Grishaj, foli rreth mungesës së Kejvinës në studio.
“Nuk erdhi në studio se ishte e ngarkuar, por kemi folur, tani është mirë dhe do të vijë”, u shpreh Grishaj. Por, teksa pritej që modelja të ishte prezente në spektakël për të rrëfyer versionin e saj të historisë, duket se tensionet kanë vijuar, duke përjashtuar përfundimisht Kejvinën nga mundësia për të qenë në studio për të folur rreth asaj çfarë ndodhi. Tashmë që modelja ka bërë disa hapa pas, duke i thënë publikisht Luizit që e ka përzemër, me gjasa ajo do të rikthehet në studio, duke treguar historinë e saj, por këtë herë pa akuza, duke rikonfirmuar edhe live edhe miqësinë me Luizin, tashmë të rindërtuar në distancë.
Përshëndetje, ju mund të kontriboni në këto dy linqe; Gofundme; https://www.gofundme.com/f/te-ndihmojme-te-prekurit-ne-turqi PayPal ; https://www.paypal.com/donate?hosted_button_id=4WVLREEXKTMFW