Vdekja e Lear Kurtit/ Shuhen hetimet për vrasje, në verifikim vetëm këto dy pista

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Merr lajme ekskluzive  

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë  duke klikuar këtu

Prokuroria e Tiranës, ka shuar hetimet për dyshimin e “Vrasjes me dashje” të Leart Kurtit nga punonjësit e komisariatir nr.3 në Tiranë.

Vendimi i prokurorëve, vjen pak ditë pasi hetuesit u njohën me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, ku përgjigja përfundimtare e mjekëve doli se 32-vjeçari Kurti, kishte ndërruar jetë si pasojë e helmimin nga mbidoza e kokainës.

Nisur nga kjo situatë grupi hetimor që po trajton këtë çështje, tashmë ka shuar çdo dyshim se vdekja e të riut, s’ka ardhur si pasojë e dhunës së mundshme të ushtruar nga policia, por nga mbidoza.

Pavarësisht saktësimit të shkakut të vdekjes së Kurtit, mësohet se hetimet për këtë çështje, vijojnë për dy akuza të tjera siç është ajo e “Kryerjes së veprimeve arbitrare” dhe “Mosdhënia e ndihmës”.

Për këto dy vepra penale, aktualisht janë duke u hetuar punonjësit e komisariatit nr.3 në Tiranë dhe mjekët e rojës pranë spitalit të Traumës në kryeqytet. Për shkak të kontradiktave në dëshminë e tyre, policë dhe mjekë janë marë në pyetje për të dytën herë.

Sërish të dyja palët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme, ku mjekët kanë treguar se paciente Leart Kurti, ka mbërritur në ambientet e spitalit të Traumës, pa shenja jete.

Ndërsa nga ana tjetër punonjësit e komisariatit, kanë treguar se të riun e kishin transportuar në spital me shenja jete. Pasi sipas tyre gjatë rrugës kanë matur herë pas here pulsin e Leart Kurtit, duke kuptuar se ai ishte në gjendje jete.

Këto dy qëndrime të ndryshme kanë sjellë thellimin e hetimeve, nga ana e prokurorisë së Tiranës, e cila tashmë është përqendruar në këqyrjen e plotë të kamerave të sigurisë që i përkasin komisariatit dhe spitalit të Traumës.

Kjo procedurë hetimore është duke u kryer, pasi prokurorët janë të dyzuar dhe të paqartë për sa i përket qartësimit të përgjegjësisë penale tek mjekët apo tek punonjësit e policisë.

Vdekja e Kurtit ndodhi në 19 Tetor të këtij viti, teksa në zonën e “Don Boskos” një patrullë policie e ndaloi në ndjekje e sipër. Në momentin e ndalimit Kurti, ka shfaqur probleme me shëndetin, dhe menjëherë është shoqëruar në komisariatin nr.3.

Por teksa qëndronte në këto ambiente ai ka vijuar në gjendjen jo të mirë dhe teksa shëndeti i tij është përkeqësuar, policia e ka transportuar në spitalin e Traumës, ku dhe gjeti vdekjen.

Pas ekzaminimit në morg, rezultoi se në stomakun e Kurtit mjekët gjetën dhe sekuestruan një qese të çarë me përmbajtje kokaine./OraNews

Scroll to Top