Vetmia është mbretëria ime nga J.M.

Jil
Jil
3 Min Read

  Vetmia është mbretëria ime ;  J. M

Unë kërcej. Unë kërcej e vetme. Në vallen time gjenden demonë të tërbuar. Përreth nesh ndodhet terri. Unë kërcej. Unë kërcej e shfrenuar dhe e shfrenuar është edhe vallja e demonëve të mi. Përreth nesh ndodhet ferri. Unë kërcej e vetme mes demonëve te mi në vorbullën e telasheve të mia. E verbër jam, drejtim nuk kam. E etur për shpresë kapem fort pas dorës tënde. Dora jote ështe e pastër, sytë e tu kanë dritë, mendja jote e ka një drejtim! Ndal kërcimin. Ti je ndryshe nga këta që më rrethojnë mendoj, ti rrezaton të vetmen gjë të ndaluar në këtë ferr shprese. Si e gjete këtë skutë? Si pate guxim të futeshe kaq thellë në mizorinë time? Unë kapem fort pas dorës tënde e vazhdoj të kërcej. Të josh hap pas hapi, të tregoj plagët e mia, të thith shpresën që ti ke, të tërheq e të shty fort! Je në gjunjë tashmë, përpara meje, i verbër e i humbur je ti. Në qendër të ferrit tim, i rrethuar me telashet e demonët e mi! I gjakosur nga plaget që të shkakton kërcimi i tërbuar i demonëve të mi! Ti je aty! Aty ku nuk ka arritur të futet askush. Ti je aty mes demonëve të mi. Ata luajnë aq shumë me ty ! Ti je aty mes ferrit tim, tashmë burgu yt, tashmë ke krijuar demonët e tu, demonët e tu janë një kopje e keqe e demonëve të mi. Tashmë ti ke krijuar një ferr brenda ferrit. Gjendesh mes labirintit të cilit ju fute vetë. Deshe të bëheshe hero, por përfundove në mankthin tim. E unë? Unë tashmë po iki, po largohem kaq shumë, nëpër korridoret e gjera të ferrit tim që të dal jashtë. Ti mos u çudit , kam vite që e përshkoj këtë udhë, futem e dal, futem e dal. Po gjithmonë rrugës për të dalë duhet të bëj një kurban, e më fal, më fal kaq shumë, por këtë rradhë kurbani je ti! Unë kërcej e vetme. Krijoj tufane, ciklone, shpërthime vullkanesh dhe mu në epiqendër braktis shpëtimtarin tim. Unë kërcej e vetme mbi kufomën e shpëtimtarit tim. Unë kërcej e vetme mes demonësh të uritur. Unë kërcej e vetme në pritje të shpëtimtarit të rradhës, mu si një vejushë e zezë me maskën e një delikateje. Demonët e mi ish-të uritur, ushqehen me kufomen e shpëtimtarit tim. Demonët e mi tashmë të ngopur binden me përulesi kërkesave te mia. Unë kërcej e vetme. Kërcej e shfrenuar. Tërbohem e lumturohem se kërcej e vetme dhe vetmia qenkësh mbretëria ime.

J. M

Jeto I Lumtur.al

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *