JiL.al - Jeto i Lumtur

VOA: Rrjetet shqiptare të drogës aktivitet të zgjeruar në Greqi dhe Itali, ja rrugët që ndjekin

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

 

Merr lajme ekskluzive  

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë  duke klikuar këtu

Raportet vjetore për vitin 2021, të publikuar së fundi nga policia e anti-drogës greke dhe italiane flasin për një aktivitet të zgjeruar në fushën e drogës të rrjeteve shqiptare në dy vendet fqinje.

Sipas raportit vjetor të antidrogës greke, shifrat e shtetasve shqiptarë të arrestuar, si të përfshirë në aktivitete të drogës në Greqi mbeten të larta në vitin 2021.

Nga statistikat, 1228 shtetas shqiptarë u arrestuan duke u renditur të tretët pas shtetasve grekë dhe libanezë. Policia greke goditi gjatë vitit 2021 rreth 133 organizata shqiptare për narkotikë.

 

Megjithëse gjatë vitit 2021 në kufirin shqiptaro grek ishin në fuqi masat kufizuese për pandeminë e koronavirusit trafikantët shqiptarë arritën të transportonin drejt Greqisë rreth 2,4 tonë kanabis të papërpunuar ose 40.84% të kanabisit të papërpunuar, të bllokuar në gjithë territorin e vendit.

Antidroga greke thotë se edhe sasi të tjera kanabisi me origjinë të panjohur dyshohet se ishin me prejardhje nga Shqipëria, pasi sekuestrimi është bërë në zona pranë kufirit greko-shqiptar.

Policia greke arrestoi gjatë vitit 2021 për transport kanabisi të papërpunuar 738 shtetas shqiptarë nga 806 që ishin arrestuar në 2020.

Sasitë e mëdha të kanabisit sipas policisë greke u transportuan përmes kalimeve të paruajtura nga policia në kufijtë veriorë grekë me Shqipërinë.

Anëtarë të grupeve kriminale transportuan në këmbë ose me çanta udhëtimi të ngarkuara në kafshë pako kanabis të papërpunuar, nëpër zona të pyllëzuara, të vështira dhe të shkreta të kufirit, kryesisht me Shqipërinë”, thuhet në raportin vjetor të antidrogës greke.

Një mënyrë tjetër e transportit, janë automjetet e përshtatura për transport që zakonisht futen në territorin e Greqisë nga Shqipëria, më rrallë nga kufiri me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në disa raste automjetet ku u gjet droga ishin marrë me qira ose të vjedhura.

Një rrugë e tretë sipas antidrogës greke ishte fshehja e sasive në zonën e ngarkesave në portet detare, në kabinën e shoferit dhe në hapësira të konfiguruara posaçërisht. Automjetet me origjinë nga Shqipëria, Spanja dhe Republika e Maqedonisë së Veriut kishin si destinacion Greqinë për të udhëtuar përmes porteve të Patrës dhe Igumenicës.

Antidroga identifikoi si një rrugë tjetër edhe transportin e drogës me motoçikleta që hynë nga Shqipëria dhe Republika e Maqedonisë së Veriut me destinacion Greqinë.

Policia greke flet në raportin vjetor për drogën edhe për organizata shqiptare të përfshira në trafikun e kokainës, të cilat siç vlerësohet në raport janë shumë të organizuara, të strukturuara në mënyrë hierarkike, me role dhe nivele të mirëpërcaktuara rreth udhëheqjes së tyre.

Është konstatuar, thotë raporti i antidrogës greke për vitin 2021 se organizatat ballkanike, kryesisht shqipfolëse, priren të dominojnë zinxhirin e shpërndarjes së kokainës në Evropë, duke pasur lidhje të drejtpërdrejta me organizatat e trafikimit në Amerikën Latine dhe Karaibe.

Për të arritur qëllimet e tyre, organizatat kanë përfshirë sistematikisht kompanitë kryesore të transportit të mallrave dhe kanë shfrytëzuar rrugët transatlantike, me aksesin e tyre në porte të ndryshm e evropiane.

Antidroga greke vlerëson se lulëzimi i tregut të kokainës ka çuar në një rritje të numrit të vrasjeve, zjarrvënieve, rrëmbimeve, torturave dhe frikësimeve në lidhje me tregtinë e saj.

Raporti vjetor i antidrogës greke përfshin një nga raste e sekuestrimit më të madh të sasive të kokainës në Janar të viti 2021 ku në bashkëpunim me zyrën e DEA-s të Ambasadës Amerikane në Athinë u arrestuan 1 shtetas grek, 1 shtetas shqiptar dhe 1 shtetas kroat dhe u sekuestruan 324 kilogramë kokainë.

Të arrestuarit, sipas antidrogës greke i përkisnin një organizate kriminale ndërkombëtare, e specializuar në marrjen, menaxhimin dhe trafikimin e sasive të kokainës në territorin grek.

Itali, organizatat shqiptare veçanërisht aktive në trafikun e kokainës

Raporti vjetor i antidrogës italiane vlerëson se në vitin 2021 shtetasit shqiptarë ishin të dytët pas marokenëve për krime të lidhura me narkotikët në Itali. Sipas raportit në Itali ishin 9232 persona të huaj të denoncuar për narkotikë nga të cilët 6223 të arrestuar dhe mes të cilëve 1581 shtetas shqiptarë të denoncuar për vepra penale në fushën e drogës.

Vetëm në trafikun e Kokainës, sipas të dhënave të antidrogës italiane gjatë vitit 2021 u akuzuan si të përfshirë 1.113 shtetas shqiptarë

Raporti i antidrogës italiane vlerëson se organizatat shqiptare janë të pranishme në pjesën më të madhe të territorit italian dhe konsiderohen ndër organizatat më komplekse.

“Afërsia gjeografike midis Italisë dhe Shqipërisë ka lehtësuar ndër vite zhvillimin e kanaleve të drejtpërdrejta midis grupeve kriminale pulieze dhe shqiptare”, thuhet në raport.

“Në trafikun e drogës, organizatat shqiptare janë në gjendje të lëvizin sasi të mëdha kokaine dhe heroine nëpër vendet evropiane, veçanërisht në Holandë, shpesh duke u përshirë në biznes, si ndërmjetës të besueshëm, me mafien kalabreze, të Kampanisë dhe Sicilisë ose me shtojca të tjera kriminale,” vlerëson raporti.

Për sa i përket pjesëmarrjes në trafikun e paligjshëm të drogës, kombësitë me numrin më të madh të të huajve të përfshirë janë marokene, shqiptare, tuniziane, nigeriane, gambiane, rumune dhe senegaleze .

Zhvendosja territoriale e subjekteve shqiptare të raportuara duket të jetë më heterogjene se ajo e grupeve kriminale marokene, megjithëse edhe në këtë rast, Italia Veriore regjistron më shumë se 50% të përhapjes së rrjeteve kriminale të narkotikëve, thuhet në raport.

Gjatë periudhës në shqyrtim, raporti i antidrogës italiane regjistron disa tendenca lidhur me kriminalitetin shqiptar si prirjen e fortë rënëse duke filluar nga viti 2017 për përfshirjen në marijuanën, rritjen e fortë që nga viti 2019 të përfshirjes për kokainën, e cila në dy vitet e fundit ka shënuar rritje prej 77,06% dhe një rënie e ndjeshme e përfshirjes për heroinën -68,68% në dy vitet e fundit./VOA/…jetoilumtu.al/

 

burimi lajmifundit.al/

Scroll to Top