Nëse Policia do të kishte ndërhyrë në kohë, vrasja e Pjerin Xhuvanit do të ishte parandaluar.
Në këtë konkluzion ka dalë Prokuroria e Elbasanit pas hetimeve në lidhje me ngjarjen, ndërsa dy ditë më parë, dy zv/drejtorë policie dhe 6 efektivë të patrullës “Shqiponja” atje u vunë nën akuzë për dëshmi të rreme.
Referuar dinamikës së ngjarjes, dy nëndrejtorët e Policisë mbërritën të parët në vendin e ngjarjes, në lagjen “5 Maji”, pas njoftimit të bërë nga Arjan Hoxha, i prezantuar si përgjegjës i sigurisë së shtabit elektoral të Partisë Demokratike në Elbasan.
Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu.
Pavarësisht kësaj, ata kanë preferuar të rrinë indiferentë, duke mos ndërhyrë dhe të njëjtën gjë kanë bërë edhe efektivët nën varësi të tyre. “Zyrtarët e Policisë nuk reaguan”, thuhet midis të tjerash në dosje.
POLICËT BËNË “SEHIR”
Ndërkohë që vazhdonte debati midis palëve kundërshtare në zgjedhje, zyrtarët e Policisë qëndronin në trotuar, duke biseduar me Hoxhën, teksa ky i fundit iu tha se bashkë me kolegët e tij, kishin bllokuar një automjet pa targa, pasi kishin dyshime se drejtuesi i saj, i identifikuar si Mehmet Greca, po blinte vota në favor të Partisë Socialiste.
Policia nuk ndërhyri në kohë, duke lejuar që në ndihmë të Mehmet Grecës të vinte Pjerin Xhuvani, Klement Xhaferri, Gentian Sharra, Elton Bodinaku, Luan Tabaku, Mario Çela, Marsel Rroka etj., të cilët lëviznin me 3 automjete. Palët u konfliktuan mes tyre dhe pati shkëmbim zjarri.
Nga hetimet, ka rezultuar se dy drejtorët, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, si dhe efektivët që i shoqëronin ata, nuk kanë ndërhyrë për të shoqëruar Mehmet Grecën, i denoncuar nga opozita se po blinte vota për Partinë Socialiste.
“Nga ana e dy zv.drejtorëve, Albert Nushi, drejtor i Hetimit për Krimet dhe Nikollaq Palla, drejtor i Hetimit për Rendin, dhe nga ana e trupës policore të Forcave të Posaçme Shqiponja nuk është vepruar fillimisht për të shoqëruar Mehmet Grecën dhe mjetin e tij.
Moskryerja e këtij veprimi ka lejuar miqtë e Mehmet Grecës që të marrin territor dhe të dominonin në prani të forcave të Policisë të Shtetit”, thuhet në dosje cituar nga “News 24”.
Sipas prokurorisë, zyrtarët e Policisë mund të reagonin në përputhje me situatën, duke përdorur edhe armën e zjarrit që të ruanin jetën e qytetarëve.
Pikërisht këto fakte të zbuluara nga Prokuroria bien në kundërshtim me dëshmitë e dy drejtorëve dhe efektivëve të repartit “Shqiponja”, të cilët kanë dhënë dëshmi të kundërta me ato që janë faktuar në terren nga ana e prokurorëve në lidhje me qëndrimet dhe veprimet e tyre në momentin e përplasjes me armë që la pas 1 të vdekur dhe katër persona të plagosur.
Çfarë deklaruan dy drejtorët për ngjarjen dhe misteri i armëve
Më herët, dy drejtorët e vënë nën akuzë për shpërdorim detyre dhe për “Deklarim të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore”, dhanë versionin e tyre në lidhje me ngjarjen.
“Ai më sqaron se ai bashkë me disa persona të tjerë kishin bllokuar një person, shtetas tjetër, me arsyen, sipas tij, se ai person po bënte veprime për blerje votash për një subjekt politik.
Ai më tregoi se atij personi që kishin bllokuar i përkiste mjeti, fuoristrada e zezë, të cilën ma tregoi me gisht dhe ishte ajo që cilësova më lart gjatë deklarimit. Arjani me tha se brenda në atë mjet ka para, lista emërore.
Nga aty ku isha, kam kthyer kokën andej nga vinin krismat dhe kam vënë re se aty ishte e parkuar një makinë e vogël, veturë ngjyrë e zezë, pra e parkuar te rruga e prishur, rruga që po riparohet.
Kam vënë re duke parë mbi pjesën e sipërme të asaj veture, nga pas saj, një person i cili ishte i ulur, mbështetur në njërin gju dhe shtinte me pistoletë pa ndërprerje, në drejtim të grumbullit të personave që ishin në këmbë pranë blloqeve të betonit”, ka deklaruar Albert Nushi ndër të tjera.
“Ai i ka thënë që kemi ndaluar këtë mjetin ML, ngjyrë të zezë, pa targa, e cila ka brenda karta identiteti dhe po shpërndan lekë nëpër votues. Në këtë moment, unë i them përgjegjësit të grupit.
‘Shqiponja’ që shoqëroni personin në drejtori, së bashku me mjetin pa targa. Në këtë kohë plasi rrëmuja, filluan të konfrontoheshin me njëri-tjetrin dhe unë dëgjova të shtëna armësh që vinin nga mesi i pallateve, jo në rrugën kryesore ku kishim qëndruar makinën ne”, mësohet të ketë deklaruar Nikolin Palla, duke iu referuar Arbër Paplekajt, aktualisht i akuzuari i vetëm si autor i vrasjes së Pjerin Xhuvanit.
Dokumenti policor i këqyrjes së vendit të ngjarjes tregon se në përplasjen e përgjakshme që ndodhi në sytë e dy drejtuesve të Policisë së Elbasanit dhe një numri policësh, u përdorën disa pistoleta, vërtetuar kjo nga larmishmëria e markave të gëzhojave të gjendura në vendngjarje, si dhe duket se është qëlluar nga pozicione të ndryshme.
Raporti i Policisë thotë se aty u gjendën 7 gëzhoja të markës GFL 9 mm Luger, si dhe 9 gëzhoja PPU 45 të kalibrit 11.2, ku këto të fundit u gjetën në gjashtë pozicione të ndryshme. U gjetën më tej tri gëzhoja S&B dhe një fishek 1 Maxx Tech.
Gëzhojat e gjetura në terren sugjerojnë përdorimin e minimalisht tri llojeve të ndryshme të armëve, por Policia ka sekuestruar vetëm armën e dorëzuar nga i akuzuari për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, Arbër Paplekaj..
Jeto I Lumtur.al
Më të lexuarat