Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Për vite me radhë psikologët janë përpjekur të kuptojnë se cilat janë dinamikat mes një çifti dhe faktorët që përcaktojnë suksesin ose dështimin e marrëdhënies së tyre. Por studimet shkencore janë shpesh të përqendruara në identifikimin e faktorëve të rrezikut, si pritshmëritë e rreme që krijojmë për partnerin, ndikimin e ndjenjave negative, komunikimi jo i mirë dhe konfliktet.
Pa dyshim çiftet që përjetojnë shumë ndërveprime negative, kanë mundësi më të mëdha për t’u ndarë që në vitet e para të marrëdhënies. Megjithatë, përtej faktorëve që i çojnë dy partnerë në ndarje, shumë studime janë orientuar mbi identifikimin e elementeve që e bëjnë një marrëdhënie të funksionojë më së miri.
Bëhuni realistë në këndvështrimin për marrëdhënien
Është e rëndësishme të dini të dalloni fazën e të dashuruarit nga dashuria. Fazat e para të krijimit të një çifti janë të karakterizuara nga dashuria “e çmendur”. Por ky pasion nuk është e thënë që të zgjasë përgjithmonë. Më pas, kjo fazë e parë i lë vendin një forme marrëdhënieje më të thellë dhe më të pasur, e cila karakterizohet nga romanca, kujdesi dhe mbështetja e ndërsjelltë. Një marrëdhënie afatgjatë duhet parë në terma realistë, pra: me ulje-ngritjet e veta dhe një formë lidhjeje më pak pasionante dhe përfshirëse.
Shfrytëzoni dallimet
Në fillim të lidhjes janë pikërisht dallimet e partnerit që e tërheqin një njeri kundrejt tjetrit. Fatkeqësisht, me kalimin e kohës, të njëjtat diferenca rrezikojnë të bëhen burim ndarjeje dhe konflikti. Që një lidhje të vazhdojë të funksionojë, është e rëndësishme që secili nga partnerët të përqendrohet në aspektet pozitive të tjetrit dhe të vlerësojë pikërisht ato diferenca që i kanë lejuar ata të lidhen bashkë, pa i përdorur si akuzë dhe pa nxitur te partneri ndjenja faji.
Mos pretendoni të ndryshoni partnerin
Secili duhet të përqendrohet të plotësojë dhe kënaqë nevojat e tjetrit. Për shembull: në vend që të ankoheni sesi partneri i bën punët në shtëpi, apo sesi i delegon ato, mund të pranoni mënyrën e tij ose mund t’i bëni vetë, por pa u ankuar. Partneri me shumë gjasa do ta vërë re sesa shumë mundoheni ju dhe do të përqendrohet më shumë për t’ju ndihmuar, duke bërë ato punë që mund t’i bëjë më mirë, pa u ndier i padobishëm kur juve nuk ju pëlqen mënyra sesi ai punon.
Pranoni se disa probleme nuk mund të zgjidhen
Në jetën në çift mund të lindin probleme për të cilat partnerët nuk mund të gjejnë mirëkuptim. Në vend që të harxhoni energji për vite të tëra duke u përpjekur të bindni partnerin për pikëpamjen tuaj mbi situatën ose të mburreni sesi i keni zgjidhur problemet apo sesi i keni marrë vendimet, duhet thjesht të pranoni ekzistencën e këndvështrimit të partnerit dhe të gjeni një kompromis dhe të bashkëjetoni me njëri-tjetrin edhe në diversitete të tilla.
Komunikoni
Komunikimi është baza e marrëdhënieve të kënaqshme, veçanërisht për menaxhimin e mirë të konflikteve. Është thelbësore të dëgjoni pa ndërprerë këndvështrimet e partnerit, nevojat dhe arsyetimin që përcaktojnë zgjedhjet dhe sjelljet e tij. Mjafton vetëm të dëgjoni! Kur të ketë mbaruar arsyetimin e tij, është e dobishme të përmblidhni atë që keni mësuar nga fjalët e tij, në mënyrë që të verifikoni kuptimin aktual të përmbatjes së tyre.