Në kohët e lashta, një prej mbretërve të asaj kohe kishte dalë për të shëtitur në treg. Duke ecur, sytë i shkuan në një dyqan të vjetër i cili dukej gati i zbrazur. Pranë tij qëndronte një plak i kërrusur, i ulur në një stol të vjetër dhe i zhytur në mendime. Mbretit nuk i la përshtypje ndonjë gjë në këtë dyqan përveç disa pikturave të cilat i kishte mbuluar pluhuri. Iu afrua plakut dhe e përshëndeti. Plaku ia ktheu përshëndetjen me fjalë të bukura. Ai posedonte një qetësi të çuditshme dhe një vetëbesim të mahnitshëm. Mbreti pyet plakun, “Çfarë ke ndonjë gjë të mirë për të shitur?” Plaku iu përgjigj me qetësi, vetëbesim dhe shumë serioz, “Mirë se vini, ne kemi mallin më të mirë dhe më të shtrenjtë në treg.
Mbretit i shkoi buza në gaz nga përgjigjja e plakut dhe i tha, “Seriozisht e ke këtë që thua?” Plaku ia ktheu, “Po, seriozisht. Sepse malli im është i paçmueshëm. Të gjitha mallrat e tjerë në këtë treg kanë një çmim të caktuar dhe nuk mund të vlejnë më shumë se aq. Mbreti u befasua nga vetëbesimi i këtij plaku, heshti për një çast dhe filloi ta shikojë dyqanin cep më cep dhe pastaj tha: “Unë nuk po shoh në dyqanin tënd ndonjë gjë që ia vlen të blihet!” Plaku ia ktheu, “Unë shes urtësi. Kam shitur shumë prej tyre, dhe blerësit kanë përfituar shumë nga ato! Dhe nuk më ka mbetur tjetër përveç këtyre dy pikturave!
Mbreti me kureshtje e pyeti, “Po a përfiton prej kësaj tregtie!” Plaku buzëqeshi e tha, “Po zotëria im. Përfitoj shumë prej tyre, sepse pikturat e mia janë shumë të shtrenjta! Mbreti iu afrua njërës prej pikturave, fshiu pluhurin mbi të dhe pa se në të shkruante, “Mendohu mirë para se të bësh diçka!” E meditoi gjatë mbreti këtë fjalë, pastaj u kthye nga plaku e i tha, “Sa e shet këtë pikturë…?!” Plaku iu përgjigj me qetësi, “Vetëm dhjetë mijë dinarë (afërsisht 30 mijë euro)!!” Mbreti filloi të qeshë me sa zë kishte dhe po i dilnin lot nga të qeshurit, mirëpo plaku ishte i qetë sikur mos të dëgjontë fare, dhe e shikonte pikturën e tij me krenari.
Mbreti i tha, “Dhjetë mijë dinarë!! A je serioz?” Plaku i tha, “Bile s’ka diskutim për këtë!” Mbreti u befasua nga vendosmëria e plakut dhe nuk dinte çfarë të bënte vëtëm se të qeshte e të mendonte me vete se ky është thjesht një plak i rrjedhur të cilin e ka lënë mendja. Kurioziteti i
shkaktuar nga vendosmëria e plakut e shtuy që të bëjë pazar me të dhe filloi me një mirë dinar. kurse plaku refuzoi, e rriti dy mijë, pastaj tre, pastaj katër, e kështu me radhë derisa mbërriti në nëntë mijë dinarë. Mirëpo plaku vazhdonte të këmbëngulte në fjalën e tij.
Mbreti buzëqeshi dhe vendosi të largohet duke menduar se plaku do ta thërrasë. Mirëpo plakut nuk i bëri fare përshtypje largimi i mbretit dhe ngadalë u kthye te stoli i tij dhe u ul me qetësi. Gjatë kohës që mbreti po shëtiste në pjesën tjetër të tregut, donte të merte një vendim të pahijshëm dhe në atë çast iu kujtua fjala që lexoi tek piktura e plakut, “Mendohu mirë para se të bësh diçka!”, dhe hoqi dorë nga ai vendim. Kështu ai filloi të ndjejë një qetësi shpirtërore, u mendua më gjatë dhe e kuptoi se sa përfitoi nga kjo fjalë e urtë. Po ashtu kuptoi se shumë gjëra po ia shkatërronin jetën duke vepruar pa u menduar.
Me nxitim ai u kthye në dyqanin e plakut dhe i tha i entuziazmuar,”Vendosa ta blej këtë pikturë me çmimin që ti caktove. Plakut nuk dha asnjë shenjë gëzimi për vendimin e mbretit, por me qetësi u ngrit nga stoli i tij, mori një leckë, pastroi pikturën nga pluhuri dhe përpara se tia dorëzonte mbretit i tha, “Do të ta shes këtë pikturë vetëm me një kusht!”
“Me çfarë kushti?”, tha mbreti. Plaku ia ktheu, “Ta shkruash këtë fjalë në derën e pallatit tënd, në shumë vende në oborrin tënd mbretëror, madje edhe në sendet e tua që i përdor kur ke nevojë!” Mbreti i habitur disi, mendoi për një çast dhe tha, “Jam dakort!” Sapo mbërriti në pallat, mbreti e mbajti fjalën dhe urdhëroi shërbëtorët e tij që të shkruhej kjo fjalë në shumë vende të oborrit, u qëndisën këto fjalë në rrobat e tij, në enët e ushqimit dhe në mjetet e punës. Pas disa muajsh, gjenerali i mbretit kishte vendosur ti bëjë atentat dhe të marrë pushtetin e tij. Bie dakort me berberin personal të mbretit që ai ta priste me brisk në fyt gjatë kohës që do ta rruante mbretin. Padyshim që berberit iu bënë shumë premtime nëse do të kishte sukses.
Berberi pranoi dhe sapo mbërriti tek porta e pallatit lexoi, “Mendohu mirë para se të bësh diçka!” Menjëherë një ndjenjë frike i kaloi nëpër trup dhe filloi të dridhej. Por
gjithsesi e mblodhi veten dhe hyri. Nëpër koridoret e pallatit ripërsëritej e njëjta fjalë hera herës, “Mendohu mirë para se të bësh diçka!”- “Mendohu mirë para se të bësh diçka!”- “Mendohu mirë para se të bësh diçka!”.. Vendosi që të ecë me kokën ulur dhe të mos shohë nëpër mure, por edhe në dysheme lexonte të njëjtën fjalë e cila ia copëtonte zemrën dhe iu shtua akoma më shumë frika e shqetësimi. Nxitoi hapat dhe para se të futej në sallën madhështore lexoi të shkruar tek hyrja të njëjtën fjalë, “Mendohu mirë para se të bësh diçka!”.
E kaploi një trishtim i madh, kjo fjalë po tingëllonte në veshët e tij si një ushëtimë e fuqishme! Dhe u tmerrua akoma më shumë kur hyri mbreti dhe në rrobat e tij lexoi të qëndisur të njëjtat fjalë, “Mendohu mirë para se të bësh diçka!”. U fikësua shumë, po ndjente se mbreti kishte kuptuar gjithçka për planin e tij dhe i kishte shkruar kastile këto fjalë. Gjithsesi mundohej të mbante veten. Por u llahtaris kur erdhi shërbëtori i mbretit duke i sjellë kutinë e rrojes personale të tij mbi të cilën shkruhej, “Mendohu mirë para se të bësh diçka!”
Gjatë kohës që po hapte kutinë i dridheshin duart dhe djersët i shkuan rrëke në ballin e tij. Shikoi mbretin me bisht të syrit, ai dukej shumë i qetë e i qeshur, dhe iu shtua akoma më shumë shqetësimi! Kur nisi të vendosë sapunin në mjekrën e mbretit, ai e vuri re që berberit po i dridheshin duart dhe filloi ta shikojë me kujdes. Berberi deshi ti shmangej shikimit të mbretit dhe ktheu kokën nga muri ku pa një pikturë me shkrimin, “Mendohu mirë para se të bësh diçka!”
Në këtë moment berberi ra në gjunjë duke qarë e duke i kërkuar falje mbretit. Ai i sqaroi të gjitha detajet e komplotit ndaj tij dhe shpjegoi ndikimin e kësaj fjale në zemrën e tij pasi e lexoi atë gjithandej dhe e bëri që ta pranojë gabimin dhe të mos veprojë atë që kishte ndërmend të bënte. Mbreti dënoi gjeneralin dhe urdhëroi që berberi të mos dënohej. Shkoi pranë pikturës dhe filloi të fshijë pluhurin që kishte rënë mbi të, e shikonte me dashuri dhe krenari. U përmallua për plakun dhe u nis për ta shpërblyer atë e të blente ndonjë fjalë tjetër prej tij. Mirëpo kur mbërriti në treg dyqani ishte mbyllur dhe i treguan se plaku kishte ndërruar jetë.
Mësimi:
Këtu përfundon tregimi,
mirëpo këtu fillon e përditshmja jonë. Sa përleshje ndodhin në jetën tonë për një fjalë të pamenduar? Sa familje shkatërrohen e sa çifte shkurorëzohen për një vepër të pa menduar? Sa humbje jete ndodhin për një lëvizje të pa menduar? Zoti na dhuroi logjikën por shumë pak e shfrytëzojmë sepse flasim pa analizuar dhe veprojmë pa menduar. Mbretit iu desh ta blejë këtë urtësi dhjetë mijë dinarë për të shpëtuar jetën e tij, e kurse ti o lexues i mësimit merre falas. Ju falenderoj që më ndiqni dhe mos harroni, mendjen në vend!./historimotivuese.com
Tagged Në kohët e lashta, një prej mbretërve të asaj kohe kishte dalë për të shëtitur në treg. Duke ecur, sytë i shkuan në…
Histori