Ime bijë është vetëm tetë vjeçe dhe nëna e saj nuk jeton më. Si gjithmonë pasi e shoqëroj deri tek porta e shkollës, ajo më jep një letër në të cilën shkruan se çfarë mendon për mua. Ne përqafohemi fort të dy, ajo më jep letrën, unë nis ta lexoj, ajo futet në oborrin e shkollës dhe më pret deri sa t’ia bëj me dorë për ti lënë të kuptoj që e lexova deri në fund. U vesha në mëngjes, i krekosur i kollarisur si një zotëri i vërtetë, mora vajzën për dore dhe shkuam tek shkolla. U përqafuam fort, u puthëm me dashuri, ajo më dha letrën dhe u fut brenda oborrit të shkollës. Nisa ta lexoj: Babi im është babi më i ëmbël në botë. Babi është më i bukuri, më i zgjuari.
Mu bë qefi shumë, buzët e mia po preknin të dy veshët nga gazi, ia bëra me dorë për ti thënë qe e lexova zemër. Ajo u largua duke tundur dorën dhe me buzëqeshjen e saj ëngjëllore. Shkova ta mar mbas punës në mbasdite, dolëm shëtitëm të dy, u argëtuam, e qerasa me akullore, shkuam në restorant ajo hëngri boll, unë nuk kisha uri. Të nesërmen si gjithmonë, pasi shkuam deri tek porta e shkollës, ajo më jep letrën dhe futet brenda kangjellave dhe pret deri sa unë ta lexoj: Babi im është më i këndshmi, më i sjellshmi, ai më jep akullore e më dërgon në restorant. Ai është shoku im më i mirë, ai është heroi im.
Si çdo ditë, lumturohem gjithmonë pasi lexoj letrën me shkrimin nga dora e saj e vogël. I buzëqesh me lot gëzimi, ia bëj me dorë, ajo më përshëndet me buzëqeshjen e saj ëngjëllore dhe futet në mësim. Unë nxitoj vrap për në punë. Një ditë kishin mbledhje prindërish, e lashë punën, u vesha u kollarosa dhe shkova. Dëgjova fjalët më të mira për time bijë. Ajo kishte marë fletë lavdërimi. Të nesërmen pas mbledhjes, në mëngjes nis të lexoj letrën time të preferuar. Ajo pret brenda oborrit të shkollës, unë tek porta lexoj: Babi bën gjithçka për mua, ai u hodh nga gëzimi kur mora fletë lavdërimi, qante si fëmijë, aq shumë ra në sy sa po e shikonin të gjithë prindërit e tjerë. Babi do që unë të bëhem dikushi në jetë e të diplomohem. Ai është thjesht madhështor, por…
Në këtë moment nuk munda të vazhdoj dot më. Ndërpreva për pak leximin dhe ngrita sytë drejt vajzës sime: në fytyrën e saj ishte një pikëllim i rëndë, nuk ishte më ajo buzëqeshja ëngjëllore. Mesa duket ajo e kishte kuptuar. Ula kokën dhe vazhdova të lexoj: Ai është thjesht madhështor, por ai gënjen. Ai gënjen kur thotë se ka një punë të mirë. Sepse ai vishet kot me kollare, ai nuk punon në zyrë. Ai do që unë të ndihem mirë. Pasi më lë mua tek shkolla, ai nxiton me vrap dhe ndërrohet, ai vesh rrobat e hamallit. Unë nuk e dija këtë deri kur e pashë. Ai gënjen! Ai gënjen kur thotë se ka para plot. Ai pastron xhamat e lokaleve, shpërndan fletushka gjithë ditën. Ai e bën këtë që unë të ndihem mirë, më dërgon në restorante dhe më qeras me akullore.
Unë nuk e dija këtë deri kur më treguan shoqet. Babi të betohem se unë nuk i kam më qef akulloret dhe restorantet. Ai gënjen! Ai gënjen kur thotë se nuk është i lodhur dhe luan me mua si fëmijë. Ai bën punë të rënda çfarë ti dalë përpara. Ngarkon e shkarkon kamiona të tërë. Ai e bën këtë që unë të ndihem mirë, të mos më mungojë loja e babait. Unë nuk e dija këtë deri kur të pashë me sytë e mi. Babi të premtoj që unë tani jam e rritur, shiko sa e madhe u bëra plot tetë vjeçe, unë nuk kam dëshirë më të luaj. Dua që ti të shtrihesh e unë të të fërkoj shpinën. Nuk po mundja dot më, po qaja si fëmijë. Shikova vajzën time, ajo ishte e pikëlluar dhe nuk futej në mësim. Ajo priste sinjalin tim për ti thënë që e përfundova letrën. O zot, i kam duruar të gjitha, torturën, punën e rëndë, fukarallikun, urinë, etjen por këtë nuk po e përballoja dot.
Nuk e përballoja dot atë pikëllim në sytë e atij ëngjëlli vetëm tetë vjeç. Fshiva lotët, thitha hundët dhe vazhdova leximin: Ai gënjen! Ai gënjen kur thotë nuk më hahet pasi i kam zgjatur diçka nga pjata ime. Ai gënjen kur thotë që nuk i pëlqejnë akulloret dhe blen vetëm një për mua. Unë nuk e dija këtë deri kur më tha shoku im i bankës. Mamaja e tij punon mjeke, një ditë tim eti i kishte rënë të fikët. Mjekët i kishin thënë se e ka nga mos ushqyerja. Ai e bën këtë që unë të ngopem e të shijoj ushqime të ndryshme. O ba, unë nuk i kam qef më akulloret, as restorantet, unë dua të hamë bashkë të dy në shtëpi, atë që të kemi dua ta ndaj me ty. Ai gënjen! Ai gënjen kur thotë se kemi gjithçka, gënjen kur thotë se është i lumtur.
Sepse ai largohet nga mua me nxitim, futet në banjo të një lokali, ndërrohet dhe vishet si hamall. Del nëpër rrugë e kërkon punë. Punon e roptohet gjithë ditën, në të ftohtë e në shi. Pas gjithë atyre orëve punë, vjen përsëri në një banjo, fshin kokën qe është bërë qull nga shiu, vishet bukur me kostum dhe shtiret sikur punon në zyrë. Pastaj si një zotëri i vërtetë, vjen e më mer mua i krekosur e i kollarisur. Ai e bën këtë që unë të mos ndihem inferiore karshi moshatarëve të mi. Por unë nuk e dija këtë, nuk e dija deri kur ma tha Ana, shoqja ime e klasës, babi i së cilës ka një lokal në tualetin e të cilit ndërrohej babi im. O ba, unë të dua shumë, nesër dua të vish ashtu si je, i pisët, pa kollare e pa kostum, por i ndershëm dhe fisnik.
Ai gënjen! Ai gënjen por nuk është gënjeshtar. Ai gënjen për shkakun tim. Rashë në gjunjë, po qaja si fëmijë. Nuk kisha më dëshirën më të vogël të nxitoja për tu ndërruar nëpër lokale e të kërkoja punë në këtë ditë të vrenjtur. Shikova time bijë, ajo po vinte drejt meje, nuk u fut në klasë. Mësuesja po i thërriste, ajo nuk dëgjonte. Kur më erdhi përballë, nisa ti shpjegoj e ti them më fal por ajo më zgjati dorën e më tha të ngrihem. Më përqafoi fort, më puthi në të dyja faqet dhe më tha: Ti je babi më i mirë në botë. E putha fort e shtrëngova si asnjë herë tjetër. Ajo u fut në oborrin e shkollës, ma bëri me dorë dhe buzëqeshi përsëri si të gjitha ditët kur e gënjeja. U largova për në punë, por sot jo si ditët e tjera me nxitim për tu ndërruar.