Anxhela Peristeri thotë se Ronela Hajati duhet patjetër të ishte pjesë e finales së “Eurovision”, teksa këmbëngul se mënyra si është trajtuar dhe komentuar nga njerëzit ka qenë e papranueshme.
Anxhela Peristeri është shprehur së fundmi se Ronela Hajati duhej patjetër që të ishte pjesë e finales së madhe të “Eurovision”. Ajo ka shtuar se mënyra se si është trajtuar dhe komentuar nga njerëzit ka qenë e papranueshme.
Këngëtarja e dashur për publikun shqiptar, e cila ishte pjesë e jurisë së “Festivalit të Këngës”, shprehet se Ronela ishte pjesëmarrësja më e mirë dhe e vetmja që meritonte të na përfaqësonte.
Ajo tha se i ka ardhur keq për sulmin që i është bërë asaj ndërsa lidhur me kritikat e profesionistëve deklaroi se nuk e prekin më.
“Jo se Ronela është ndër shoqet e mia më të mira, por asnjë këngëtar nuk duhet të sulmohet në këtë lloj mënyre. ‘Eurovision’ është shumë i bukur dhe i vështirë. Sepse përfaqëson shtetin, pastaj veten. Ke shumë përgjegjësi dhe komentet më të vogla të ndikojnë. Më ka ardhur shumë keq për reagimin ndaj Ronelës.
Komentet nga profesionistët nuk është se më prekin shumë se kam 20 vjet në këtë punë dhe kam patur shumë gjëra të tilla. Nuk mund të trajtohet kështu një artist. Performanca e saj në Festival ka qenë më e bukura. Në gjysmëfinalen e Eurovision ishte ndër këngët që duhej të ishte në finale edhe sikur të kishte performancën më të keqe. Kishte energji të mirë dhe duhej nga gjithë publiku”, u shpreh artistja e ftuar në “Natë me Aulonën”.
Duke u rikthyer pas te përfaqësimi i saj dhe nëse e mendon sërish ta provojë një eksperiencë të tillë Anxhela u shpreh se është ende herët për këtë gjë. Por ishte shumë e qartë kur tha se përveç Shqipërisë do donte të përfaqësonte Greqinë.
“Do përfaqësoja vetëm Greqinë se e njoh kulturën dhe kam jetuar atje. Edhe pse kënga ime u orkestruar nga një kompozitor grek, nuk ka patur bisedime. Por do më pëlqente”, tha Anxhela.