
Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu.
SPAK tërheq aktet për Erion Alibejn, i cili po gjykohet si porositës i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.
Tërheqja vjen pas dëshmisë së marrë nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Referuar dosjes së SPAK, bëhet me dije se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedim penal ndaj Erion Alibej, Xhulian Hoxha e Euglen Halili të akuzuar për krimin e vrasjes në dëm të viktimës Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan.
“Lidhur me faktin penal të vrasjes së shtetasit Emiljano Ramazani, ngjarje e ndodhur në datën 20.07.2020. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 238 të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurve Erion Alibej, Xhulian Hoxha e Euglen Halili të akuzuar për krimin e vrasjes në dëm të viktimës Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, parashikuar si “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga nenet 78/2, 278/3 të Kodit Penal; për krimin e vrasjes së Regis Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan, parashikuar nga neni 78/2 të Kodit Penal dhe në të dy krimet duke bashkëvepruar dhe me të tjerë persona nën hetim në formën e veçantë të bashkëpunimit “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal.” thuhet në dosje.
Ndërkohë në vijim Prokuroria e Posaçme ka ndarë çështjet në ngarkim të të pandehurve Erion Alibej, Xhulian Hoxha dhe Euglen Halili duke i dërguar ata për gjykim sipas akuzave respektive dhe në të njëjtën kohë ka vazhduar hetimet po në kuadër të procedimit penal nr.238/2021, me qëllim zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këto dy krime.