Pas ndryshimeve në Policisë së Shtetit, lëvizje ka pasur dje edhe në burgje. Kështu, mësohet se Klejdis Çela është emëruar drejtor i burgut 313 në Tiranë. Emërimi i tij ka ardhur në vazhdimësi të ndryshimeve që po ndodhin në institucionet ku të burgosurit vuajnë dënimin.
Çela do të zëvendësojë Shpëtim Saraçin i cili do të marrë detyrën e drejtorit të spitalit të burgut. Saraçi është vendosur si drejtor i spitalit të burgut. Ndryshime ka pasur edhe në zinxhirin komandues të sigurisë së IEVP 313 si shefi i sigurisë së burgut dhe ai i shoqërimeve. Burgu 313 është një nga burgjet ku janë vendosur personazhe të botës së krimit dhe ndodhen qelitë e regjimit të posaçëm 41 bis.
Ja si do mbrohen ata që kanë rënë pre e dhunës
Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Nga ana tjeter, dje ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili zbuloi se qeveria ka miratuar një strategji ndërsektoriale për të miturit që kanë probleme me ligjin. Në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së qeverisë, Manja theksoi se strategjia e re ka për qëllim konsolidimin e aksesit të të miturve që kanë probleme me ligjin apo që bien pre e dhunës.
“U miratua strategjia ndërsektoriale për të miturit. Plani i veprimit dhe pasaporta indikatore për vitin 2022-2026. Kjo strategji është dhurata më e mirë që mund tu bëhet fëmijëve që kanë konflikte me ligjin apo kur bien pre e dhunës. Strategjia e re konsolidon aksesin për të miturit me qëllim për t’i mbajtur ato larg veprave penale. Fokusi i kësaj strategjie është për të krijuar një fond të posaçëm dhe për fëmijët që bien pre e dhunës. Ka fokus të veçantë edhe monitorimin e të gjithë faktorëve në praktikë.
Qëllimi është parandalimi i përfshirjes së fëmijëve në shkeljen e ligjit. Ftoj të gjithë të punojmë për mbrojtjen e të miturve. Risia tjetër është krijimi i një platforme kombëtare për të gjithë aktorët që punojnë me dhe për mbrojtjen e fëmijëve dhe partnerët tanë ndërkombëtar me qëllim parandalimin e përfshirjes së fëmijëve të mitur në konflikt me ligjin, kryesisht nëpërmjet programeve të edukimit, informimit, drejt një drejtësie restauruese dhe miqësore”, deklaroi Manja.
Misteri për zhdukjen e Ervis Martinaj
Ndërkohë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja nuk ka preferuar të përgjigjet kur është pyetur në lidhje me kontrollet e ushtruara në shtëpinë e të zhdukurit të shumëkërkuar, Ervis Martinaj, kryesisht për faktin që nuk pati të shoqëruar në polici, pavarësisht se u gjet një arsenal armësh.
I pyetur nga gazetarët, pas mbledhjes së qeverisë, Manja i orientoi gazetarët drejt Bledi Çuçit kur tha se ai është ministri i duhur që duhet të pyesin në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me Policinë e Shtetit. “Dua ta nis tek fillimi i pyetjes, ti iu drejtove prokurorit Manja, por unë jam Ministër i Drejtësisë, i qeverisë Rama. Besoj fort në ndarjen e pushteteve dhe me këtë gjë do të duhet të merren agjencitë ligjzbatuese, kryesisht prokuroria dhe Policia e Shtetit.
Edhe për policinë ka një ministër përgjegjës që është kolegu im Çuçi”, tha ai. Vetëm dy ditë më parë, Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në Fushëkuqe, Vlorë dhe në Shijak, ku janë kërkuar gjurmë e të dhëna që do të mund të hedhin dritë mbi fatin e të shumëkërkuarit të zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit, Ervis Martinaj. Fushëkuqja e Kurbinit, zona ku dhe jeton familja e Martinajt ishte e rrethuar për pesë orë gjatë ditës së sotme.
Por, deri më tani nuk është raportuar për gjetjen e ndonjë të dhëne të re në lidhje me fatin e ish-bossit të lojërave të fatit. Policia e Shtetit doli nga Fushëkuqja me armë e municione luftarakë, por pa ndonjë gjurmë konkrete që mund të zgjeronte hetimet për 40-vjeçarin e zhdukur.