JiL.al - Jeto i Lumtur

Gazeta e Ekuadorit shkruan për mafian shqiptare të kokainës: “Vrasje makabre, atentate, pengje…”

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Merr lajme ekskluzive  

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë  duke klikuar këtu

Gazeta e Ekuadorit “Vistazo” i ka kushtuar një shkrim të gjatë veprimtarisë së grupeve kriminale shqiptare në këte shtet, në drejtim të trafikut të kokainës.

Në shkrim përmendet edhe se si mafia shqiptare mban pengje në Ekuador me qëllim sigurimin e ngarkesave të kokainës nga portet e Amerikës Latine për në Evropë.

Më poshtë, shkrimi i plotë:

Pesë faktorë shpjegojnë arsyet pse në 10 vitet e fundit vendi është kthyer në një parajsë për mafiozët: shqiptarë, italianë, rusë, kinezë… Këto grupe të krimit të organizuar jo vetëm që veprojnë për trafik droge, por u futën në aktivitete të tjera të paligjshme.

Ata janë ndër aktorët që gjenerojnë shpërthimin e pazakontë të dhunës që po godet rëndë qytetin Guayaquil.

Ishte 15 shtator 2020. Pas pesë vitesh hetime në 10 vende, u zbulua një “linjë kokaine” midis Amerikës Latine dhe Evropës. Njëzet persona u arrestuan në Itali, Holandë, Gjermani, Greqi, Rumani, Hungari, Spanjë, Shqipëri dhe Dubai. Për policinë italiane, e cila kreu hetimin me Prokurorinë e Firences, ai ishte një operacion i paprecedentë, sipas agjencisë policore të Bashkimit Evropian, Europol.

Ishte goditja më e madhe ndaj një strukture të drejtuar nga një organizatë kriminale me origjinë shqiptare.

Në krye të organizatës ishte “Kompania Bello”. Ishte hera e parë që u konstatua se i gjithë zinxhiri i operacioneve të lidhura me transportin e drogës ishte në duart e së njëjtës strukturë.

Shqiptarët i hoqën ndërmjetësit.

Në atë operacion u sekuestruan katër ton kokainë dhe 5.5 milionë paund. Mekanizmi për pastrimin e parave ishte kompleks. Ai konsistonte në përdorimin e një sistemi me origjinë kineze, i njohur si fei ch’ien, i cili nuk lë asnjë të dhënë, paralajmëroi Europol.

Por surpriza ishte më e madhe.

Organizatori i trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave në këtë grup ishte një shqiptar 40-vjeçar i arrestuar në Ekuador.

Është bërë e ditur nga shtypi italian dhe shqiptar, me shumë detaje. “Kapoja e padiskutueshme: Shqiptari pas linjës së kokainës në Evropë”, titullohej media Balkan Insight. Ajo citon burime zyrtare italiane, sipas të cilave shqiptari Dritan Rexhepi ka drejtuar gjithçka.

I arrestuar në Quito në qershor të vitit 2014, pas një operacioni ku u sekuestruan 278 kilogramë kokainë, Rexhepi po vuan dënimin me 13 vjet burg në qendrën e paraburgimit në Cotopaxi.

Drejtësia e Shqipërisë dhe Italisë kërkuan ekstradim. Shqipëria e akuzon atë se ka urdhëruar rrëmbimin e një 49-vjeçari Shqipërinë qendrore; Supozohet se ishte një llogari për humbjen e një ngarkese droge.

Dyshohet se ai ka organizuar gjithçka përmes celularit nga qelia e burgut.

Ne ishim në kërkim të versionit të avokatit që e ka përfaqësuar në vitin 2015, kur ka ankimuar kërkesën për ekstradim; por nuk patëm përgjigje.

Mbrojtësi që e ndihmoi atë në 2020 kur ai apikoi një kërkesë për lirim ishte Harrison Salcedo. Ky avokat, i cili gjithashtu mbrojti Jorge Luis Zambranon, kreun e Los Choneros, u u vra në prill 2021. Katër muaj më parë, vetë Zambrano, i njohur gjithashtu si “Rasquiña”, ishte vrarë në Manta.

Fasada e biznesmenit

Praktika më e zakonshme e drejtuesve të organizatave kriminale është të veprojnë nën maskën e sipërmarrësve.

“Disa emisarë në vende si Ekuador nuk kursehen në shfaqjen e stileve të jetesës luksoze. Shfaqen si biznesmenë të suksesshëm, që rrinë në hotele të shtrenjta, shkojnë në qendra ekskluzive dhe palestra që presin njerëz të pasur”, tregon një gazetar shqiptar që heton veprimet e mafias dhe depërtimin e tyre në Amerikën Latine.

Për arsye sigurie, ai kërkon të mos përmendet emri.

“Shqipëria ishte një vend i varfër në Evropë. Tani është një narko-shtet, që eksporton drogë dhe dhunë. Disa nga ata që ndodhen përkohësisht në vendin nga i cili dërgohet një ngarkesë droge, si Ekuadori, kanë statusin e “pengut”.

Ata mbahen në garanci deri në përfundimin e mbërritjes së kokainës në destinacionin përfundimtar. Janë disa shqiptarë në atë situatë dhe janë nën komandën e kapos”.

Që nga viti 2016, 991 persona të kombëisë shqiptare mbërritën në Ekuador.

Situata në Shqipëri

Shtypi në atë vend është i mbushur me lajmet për krimet e qytetarëve të shqiptarë në Guayaquil dhe Daule. Janë shumë në tre vitet e fundit. Ekzekutimet kryhen në vende publike. Për studiuesin shqiptar “është përmbushur kodi i lashtë i Kanunit, sipas të cilit gjaku nuk shkon kurrë pa gjak”.

Tradita stërgjyshërore e pengon ekzekutimin e një personi brenda shtëpisë së tij.

Në disa nga vrasjet në Guayaquil, autorët mbërritën në shtëpitë e viktimave, të veshur si oficerë policie: ata i nxorrën me forcë nga shtëpitë e tyre dhe vetëm atëherë u ekzekutuan.

Organizatat ballkanike shpesh dërgojnë kokainën në ngarkesa me fruta, veçanërisht banane. Në mes të shkurtit u gjetën shtatë ton drogë, të cilat në një kontenier ishin nisur drejt Belgjikës, sipas Drejtorisë Kundër Narkotikëve të Policisë.

Burimet  nuk përjashtojnë që zbulimi makabër i dy trupave të varur të një ure në Durán mund të lidhet me atë ose konfiskime të tjera.

Në ato ditë u gjet një kokë në Machala dhe një hipotezë është se ky ekzekutim lidhej me një sekuestrim në atë port. Drejtoria e Policisë Kundër Narkotikëve, e cila ishte në krye të gjeneralit Giovanni Ponce, ka arritur një rekord në sekuestrimin e drogës që nga viti 2021: strukturat fillojnë të pësojnë goditje, kur dërgesat e tyre të drogës kapen.

Mafia italiane (Ndrangheta e frikshme e Kalabrisë) shpesh kamuflon dërgesat saj të drogës me ushqime deti. Këto organizata me origjinë italiane kishin lidhje me Forcat e Bashkuara vetëmbrojtëse të Kolumbisë (AUC), të cilat që nga viti 2006 u atomizuan në fraksione të ndryshme, si Los Urabeños, i cili më vonë u bë i njohur si Clan del Golfo; dhe, Los Rastrojos, i referohet studimit “Visionet e kokainës, tregtia e paligjshme nga Amerika Latine në Evropë”, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Europol, botuar në vitin 2021.

“Po përjetojmë ‘efektin e kacabusë’, pra atomizimin e grupeve të krimit të organizuar”, tregon një agjent antinarkotik.

Kushtet specifike që përjetoi Ekuadori që nga viti 2012 favorizuan ardhjen e organizatave kriminale, të cilat kur përshkallëzohen në rrezik – duke u futur në krime të tjera – bëhen mafioze. botasot.info

Scroll to Top