Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
“Kam gruan shtatzanë dhe nuk ka kush e ndihmon për punët”. Me këtë kërkesë një 32 vjeçar i arrestuar me 1.89 gramë hashash e befasoi Gjykatën e Apelit Shkodër pasi gjykata e Lezhës e la nën arrest me burg. Ai kërkoi të shkojë në shtëpi me një sërë shkresash të cilat u morën për bazë nga shkalla e dytë, pasi ishin konsideruar qesharake nga shkalla e parë. Burimet i thanë Gazetasi.al, se si prova u hodhën në tavolinë data e celebrimit, vërtetime shtatzanie dhe dëshmi banorësh që thonë fjalë të mirë për të arrestuarin. Por më kryesorja qe këmbëngulja e J.I i cili deklaroi se ai duhet të shkonte në shtëpi pasi nuk kishte kush ta ndihmonte partneren e tij për punët.
Siç rezulton në dosje shtetasi J.I i dorëzoi gjykatës kartelën e bashkëshortes ku vërtetohej se çifti pret të bëhet me fëmijë. I dyshuari J.I kishte si arsyetim para gjykatës shkakun e ndihmës ndaj bashkëshortes dhe asistimin për punët midis tyre, dhënie ndihme për furnizim me ushqime dhe çdo punë tjetër. Burimet pranë gjykatës lokale i treguan Gazetasi.al fashikullin ku përshkruhet arrestimi i të dyshuarit dhe masat e sigurisë arrest me burg. Në një shkresë të firmosur nga mjekët vërtetohej nevoja e të afërmëve që ai ti ndihmonte me punët, një kërkesë e cila ju pranua nga Apeli me urdhërin ‘arrest në shtëpi”.
“Referuar ekzaminimit të kryer pranë Spitalit A. provohet fakti se shtetasja E. (bashkëshortja e personit nën hetim J.I ) është ekzaminuar me diagnozën gravidancë intra uterine, unike, evolutive dhe është rekomanduar terapi dhe për pasojë masa e sigurimit “Arrest në burg” do ta pengonte në përkujdesjen ndaj bashkëshortes së tij gjatë periudhës së shtatzënisë. Sipas dokumentacionit mjekësor rezulton se, të dy prindërit e personit nën hetim janë në gjëndje jo të mirë shëndetësore dhe personi i vetëm që mund t’i ndihmojë është personi nën hetim,”- shkruan në kërkesën e avokatëve.
Këtë gjë e përsëriti dhe i dyshuari i cili pavarësisht kërkesës nuk u pa e arsyeshme të lihej i lirë nga gjykata lokale, por të njëjtat rrethana u vlerësuan nga Apeli. Për prokurorinë burimet i thanë Gazetasi.al se ishte dakord dhe ndaj gjykata e Apelit e deklaroi edhe këtë qëndrim në favor të të riut’.
“Personi nën hetim ka paraqitur një sërë aktesh për të vërtetuar personalitetin dhe gjendjen ekonomike sociale të tij, prova që nuk janë kundërshtuar nga organi procedues, dhe janë vlerësuar nga Gjykata e Apelit, Shkodër si të plota për të ndryshuar masën e sigurimit. Ky vlerësim është kompetencë e Gjykatës, në momentin që kërkesa paraqitet para saj”.
Burimet e policisë i thanë Gazetasi.al se i dyshuari u arrestua për shpërndarje droge ndërkohë që më pas tha se e mbante hashashin për përdorim vetjak. “Në lokalin e tij u gjetën qesë të vogla me hashash, të fshehura poshtë banakut. Droga ishte futur pranë pijeve alkoolike dhe pranë një kutie fishash që dyshohet se përdoreshin për lojë pokeri” deklaroi policia gjatë kyqrjes së vendngjarjes që solli arrestimin e tij në flagrancë. Shtetasi J. I në shkallën e parë kujtoi se kishte patur mundësi ti shpëtonte policisë dhe të largohej, por kishte qëndruar dhe këtë e konsideroi si bashkëpunim.
Kjo rrethanë nuk u përfill nga gjykata e Lezhës. Megjithatë ai luajti me kartën tjetër. Me rrezikimin e martesës dhe të hetimit mbi personalitetin e tij, pra se çfarë thuhej në zonë për të, i riu këmbënguli se kishte pak kohë që ishte martuar dhe se edhe ky fakt duhet të kthehej në favor të martesës së tij. As kjo kërkesë nuk u pranua pasi gjykata çmoi se një vendim gjykate nuk ndikon në lidhjen martesore. Bëhet me dije se duke insistuar për liri, J.I ka dorëzuar në lëvizjen e radhës një vërtetim nga kryetari i fshatit. Edhe ai tregon se si i riu kishte një familje të mirë dhe të njohur në zonë. Vërtetimi thotë:
“ J. I rrjedh nga një familje me tradita të larta morale dhe shoqërore dhe kjo familje nuk ka patur dhe nuk ka sjellë probleme në komunitetin ku jeton. Por edhe si individ ai njihet për sjellje të mirë shoqërore. Personalisht nuk ka patur asnjëherë probleme me organet vendore në juridiksion
të rrethit Mirditë. Karakterizohet si një person me temperament pozitiv i natyrës së qetë dhe gëzon respekt nga banoret e kësaj zone.”. As me këtë vërtetim i riu nuk mundi ta ndryshojë masën e arrestit me burg. E vetmja që e shpëtoi ishte vërtetimi i bashkëshortes.
Duke i lëvizur të gjithë gurët, avokatët interpretojnë nëse është apo jo e rrezikshme vepra për të cilën ai u prangos.
“Personi nën hetim paraqet rrezikshmëri të pakët shoqërore, çka përligj marrjen e një mase më të butë se ajo e arrestit me burg” mësohet të kenë thënë avokatët përpara gjykatës.
‘Nevojat e sigurimit diktohen nga rreziku i ikjes së personit nën hetim ndaj të cilit caktohet masa e sigurimit, rreziku i ndikimit në marrjen ose vërtetësinë e provave gjatë fazës së hetimit ose rreziku i vazhdimësisë së veprimtarisë kriminale. Në rastin konkret për të dyshuarin J. I. nuk ka pasur prova apo indicie që të vërtetonte rreziku për t’u larguar. Ai rezulton të jetë një qytetar me personalitet të mirë, banues Lezhë, me arsim të mesëm, dhe nuk i përket riskut të ndërhyrjes në procesin e drejtësisë nga personi nën hetim, nuk provohet i tillë”.
/GazetaSi