Ish ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ishte ndër të parat që reagoi për kërcënimin e njerëzve të drejtësisë, pas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani që rrëfeu për planin e grupit të Laert Haxhiut për eliminimin e prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe prokurores së shkarkuar në vetting të Lushnjës, Merita Selimi. Në një lidhje për emisionin “Kontrast”, Gjonaj tha se qeveria është angazhuar për të përgatitur një kuadër ligjor me qëllim që t’u jepet më shumë mbrojtje apo shoqërim gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë të prokurorisë dhe gjykatave të posaçme.about:blank
“Edhe në katër vjet që kam qenë në krye të ministrisë së drejtësisë në çdo rast kur kemi marrë kërkesa apo kemi pasur ndjeshmërinë që ka patur nevojë për të patur ndërhyrje në ligj apo në zbatim praktik për t’u garantuar më shumë mbrojtje gjyqtarëve e kemi bërë në çdo rast. Qeveria ka qenë e impenjuar në zbatimin e këtyre masave. Sot jemi në fazë ndryshe ku disa kërcënime kanë një sensitet më të lartë jo vetëm për faktin që behen nga grupe të strukturuara por dhe që u bëhen prokuroreve gra. Përtej faktit që kuadri ligjor nuk mungon, por për të marrë masa shtesë vetë qeveria është angazhuar për të përgatitur një kuadër ligjit me qëllim që t’u jepet më shumë mbrojtje apo shoqërim të gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë të prokurorisë dhe gjykatave të posaçme.”
Reforma në Drejtësi, nënvizoi Gjonaj kishte si qëllim jo v etëm ndërtimin e institucioneve te pavarura por edhe rritjen e integritetit në sistemin e drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Një gjë është për t’u thënë që në momentin kur reforma në drejtësi u hartua një nga qëllimet ishte jo vetëm ndërtimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë por edhe për rritjen e integritetit në sistemin e drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Që atëherë qeveria dha mbështetje edhe në kuadrin ligjor që u miratua dhe zbatua më pas, ishte një mbrojtje e veçantë e të gjithë magjistratëve në momentin që kishin një shqetësim, apo në rastin e magjistratëve të prokurorisë së posaçme. Bëhej me kërkesë të drejtpërdrejtë”.
“Sot mund të thuhet se ka një përgjigje në luftën kundër krimit të organizuar e koordinuar. Reforma në drejtësi e dha qartësisht objektivin që kishte në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Unë shpresoj që edhe forcat e tjera politike të mos anatemojnë gjyqësorin kur kanë problemet e veta personale.”