Kryeministri Edi Rama prej disa ditësh tashmë ka nisur turin në bashkitë e vendit. Ky tur, sipas asaj që është thënë nga selia rozë, ka për qëllim ndër të tjera që të vlerësojë punën e bërë deri më tani nga kryebashkiakët aktualë.
Ditët e fundit të kësaj jave që mbyllet sot kreu i qeverisë ka qenë në Bulqizë, Mal, Klos e Peshkopi. Ndërsa, mëngjesin e së dielës, Rama teksa postoi një foto nga Dibra ka kritikuar opozitën.
Sipas Ramës, ajo që ai e cilëson si “e djathta e rublave e la Dibrën djerrë,” por shton kreu i qeverisë, tashmë kanë nisur të duken frytet e punës së bërë nga të majtët në këtë bashki.
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
EDI RAMA NË FACEBOOK
“MIRËMËNGJES
dhe nga Dibra e mrekullueshme, ku pas përhumbjes në braktisjen e gjatë deri kur nisëm së bashku përpjekjen tonë, kanë nisur të duken frytet e një pune plot mund e durim mbi djerrinën që la pas e Djathta e Rublave, duke i falenderuar mijëra njerëzit që më pritën, më dëgjuan e më thanë gjëra me mend në dy ditët e kaluara së bashku, nga Bulqiza, në Mat, Klos e Peshkopi, ju uroj të gjithëve një të diel të bukur.”
Kryeministri Edi Rama nga Peshkopia premtoi se rruga e Arbrit do përfundojë dhe së shpejti Dibra do të jetë kopshti i gjelbër i Tiranës.
Sipas tij, vonesat në përfundimin e rrugës të Arbrit lidhen me problemet gjeologjike.
Me shaka, kreu i qeverisë tha se janë marrë mësysh dhe i kanë bërë magji.
Rama: Ne sot jo vetëm rrugën e Arbrit që do ta kishim përfunduar në rast se nuk do të kishte dalë gjeologjia problematike në tunelin e Murrizit, ku vazhdon puna, por ecet një metër në ditë. Në tunelin e Llogarasë 25 metra në ditë. Na kanë marrë më sysh, shkurt muhabeti, s’kanë lënë magji pa na bërë. Por në fund tuneli do hapet. Ndërkohë që hapet tuneli ne do fillojmë lidhjen e Peshkopisë me Maqellarën, që mos dëgjoj llafe nga dibranët në bulevard. Ne do ta lidhim me Peshkopinë, kështu që nga kafja në qendër të Tironës do shkohet me rrugën e Arbrit.
Më tej, kryeministri u shpreh se Dibra do të bëhet kopshti i gjelbër i Tiranës dhe do jetë një nga pikat me numrin më të madh të turistëve. Sipas kryeministrit, Dibra është vizituar nga 26 mijë turistë këtë vit.