Vdekja në qeli e Enver Sheshit/ Helsinki: Drejtoria e Burgjeve shkeli marrëveshjen

Jil
Jil
5 Min Read

Komiteti Shqiptar i Helsinkit bën me dije se vëzhguesit e saj janë penguar që të verifikojnë dyshimet mbi vdekjen e Enver Sheshit në dhomat e paraburgimit.

Përmes një deklarate të gjatë, KShH rendit të gjitha sorollatjet, që thotë se u janë bërë vëzhguesve të tij nga institucionet shtetërore. Vëzhguesit janë paraqitur fillimisht në burgun 313, ku mbahej në qeli i ndjeri Enver Sheshi, një nga të akuzuarit për çështjen e inceneratorit të Fierit.

Me pretendimin se çështja po ndiqet nga prokuroria dhe çdo gjë lidhur me këtë çështje e disponon ajo, drejtuesi i burgut nuk pranoi që vëzhguesit e KShH-së të njiheshin me dokumentacionin përkatës të pranimit të të ndjerit.

Komiteti thotë se u shkel marrëveshja e bashkëpunimit që ka me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ku nuk u pranua që vëzhguesit të merrnin takim me stafin e institucionit dhe as të këqyrnin ambientet në të cilat ishte akomoduar i paraburgosuri.

Vëzhguesit u paraqitën më pas në prokurorinë e Tiranës, pranë së cilës u informuam nga Koordinatorja për të Drejtën e Informimit se nuk kishte asnjë kallëzim të regjistruar për këtë çështje.

Ditën e dytë të verifikimit, vëzhguesit e Helsinkit u paraqitën në 4 institucione të ndryshme të Policisë së Shtetit dhe pas një kalvari të gjatë vizitash dhe përcjellje nga këto autoritete, u arrit të konkretizohej se në Komisariatin nr. 4, Tiranë, Oficeri i Policisë Gjyqësore kishte kryer disa veprime procedurale për këtë ngjarje.

Ai informoi vëzhguesit se ka shkuar në morg dhe ka kryer disa veprime procedurale për fiksimin e provave siç janë ‘procesverbal këqyrjeje kufome; procesverbal për kryerjen e ekspertizës mjeko – ligjore, si dhe të dhënat e marrra nga sistemi TIMS për Enver Sheshin.

Helsinki thotë në deklaratë se oficeri ka shkelur Kodin e Procedurës Penale duke mos informuar prokurorin. Ai pretendon se ka njoftuar prokurorin lidhur me këto veprime, por nuk nuk u vendosi vëzhguesve në dispozicion asnjë informacion konkret, se cili ishte ky prokuror dhe në ç’mënyrë ishte njoftuar me telefon, apo me shkresë.

Procesverbalet përkatëse i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale por nuk rezulton të jetë bërë ndonjë kallëzim penal. Kërkesa verbale e grupit të vëzhguesve të KShH për t’u njohur me këtë dokumentacion, nuk u pranua prej oficerit të Policisë Gjyqësore, me arsyetimin se ato i janë përcjellë Prokurorisë.

Fill pas kësaj, vëzhguesit e Helsinkit shkuan për herë të dytë në harkun e 24 orëve, në Prokurorinë e Tiranës. Koordinatorja për të Drejtën e Informimit u shpreh sërish se nuk rezulton të jetë regjistruar çështje lidhur me vdekjen e Enver Sheshit. E pyetur lidhur me njohjen e dokumentacionit të dërguar nga Komisariati nr.4, ajo sqaroi se në prokurori ato ende nuk kanë mbërritur.

Gjithashtu ajo u interesua pranë prokurores së gatshme që mbulon juridiksionin e Komisariatit nr. 4, nëse ishte në dijeni për çështjen e mësipërme dhe informoi vëzhguesit se as prokurorja në fjalë nuk ishte në dijeni për këtë çështje.

Vëzhguesit e Helsinkut u paraqitën edhe pranë dy institucioneve të tjera si QSUT dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore. Pranë QSUT, pas një kohe të gjatë pritje, u informua se duhet të bënin një kërkesë për informacion, ndërsa përfaqësuesit e Mjekësisë Ligjore u komunikuan që nuk kishin dalë ende rezultatet e autopsies.

Helsinki deklaron se e gjithë sorollatja bie ndesh me vendimet e Gjykatës së Strasburgut për hetimin e vdekjeve të dyshimta, ku përgjegjësia mund të jetë e institucioneve shtetërore.

Helsinki thotë se ky refuzim krijon dyshimin e arsyeshëm se Enver Sheshit i janë shkelur të drejtat themelore të njeriut. Deklarata mbyllet me thirrjen drejtuar Prokurorisë së Tiranës për të bërë transparencë për ngjarjen./OraNews

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *