Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Tre persona janë vënë në pranga në Fier. Gazetari Ervis Kuçi bën me dije se bëhet fjalë për shtetasit Eduard Gjigoli, Liridon Gashi dhe Donald Llupi.
Njoftimi:
Fier/Vijojnë kontrollet blic dhe operacionet poliore në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim evidentimin, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në DVP Fier, Komisariati i Policisë Fier dhe FNSH Tiranë, operacioni policor i koduar “Bashkëpunimi”.
Kishte përshtatur lokalin për përdorimin e drogave, vihet në pranga gjatë operacionit, pronari i lokalit. Gjatë kontrollit në lokal u gjetën dhe u sekuestruan doza me kokainë, 18.380 euro, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Në pranga edhe një shtetas që u gjet në lokal, i cili dyshohet se furnizonte pronarin e lokalit, me lëndë narkotike. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 6.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis.
Gjithashtu, në pranga është vënë edhe kamarieri i lokalit, për moskallëzim krimi.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një lokal ushtrohej veprimtaria e shitjes së lëndëve narkotike në doza, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe FNSH Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bashkëpunimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-E. Gj., 46 vjeç, banues në Dërmënas, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”;
-L. G., 30 vjeç, banues në Pojan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
-D. Ll., 28 vjeç, banues në Pojan, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në Pojan, në lokalin në pronësi të shtetasit E. Gj., në të cilin ndodheshin edhe shtetasit L. G. (i dyshuar se furnizonte me lëndë narkotike pronarin e lokalit) dhe D. Ll. (i punësuar si kamarier), u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike dhe kanabis, 1 armë gjahu me një sasi fishekësh dhe 18.380 euro që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit L. G., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.5 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtraie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.