Fragment nga Romani “David Kopperfildi” -Charles Dickens

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Sytë e tim eti kishin gjashtë muaj që ishin mbyllur dhe nuk e shihnin dritën e diellit kur sytë e mi u hapën dhe e panë këtë dritë. Më vjen çudi edhe tani, kur rri e mendoj se ai smë ka parë kurrë: çuditem edhe më tepër kur më vjen ndërmend kujtimi i turbullt i kohës së vegjëlisë, kujtimi i atij guri të bardhë të varrit në varrezat dhe ajo ndjenjë hidhërimi të thellë që më pushtonte kur mendoja se ai gur qëndronte atje fillikat natën në errësirë, kurse salloni ynë i vogël ishte i ngrohtë dhe me dritë, nga zjarri dhe nga qirinjtë, dhe dyert e shtëpisë sonë ishin mbyllur me kyç e me lloz, pothuajse mizorisht, siç më dukej nganjëherë.

Një teze e tim eti, domethënë tezemadhja, -për të cilën do të flas më gjatë më poshtë-  qe ajo që kishte më tepër rëndësi në familjen tonë. Mis Trotvudi ose mis Betsi, siç e quante gjithmonë nëna ime, kur arrinte të mposhte frikën e madhe që i ndillte kjo grua e tmerrshme dhe ja zinte emrin në gojë (gjë që ndodhte rrallë), kish qenë e martuar me një burrë më të ri se vetja, që ishte shumë i bukur, megjithëse atij nuk i përshtatej aspak fjala e urtë e thjeshtë “i bukur është ai që është i mirë” sepse dyshonin fort se ai e kishte rahur mis Betsin; bile njëherë kur ishin zënë për çështje të shpenzimeve të harxheve, ai kiishte marrë disa masa të ngutshme, por të prera, për ta hedhur nga dritarja e katit të dytë. Këto prova mospajtimi karakteresh e shtynë mis Betsin të hiqte dorë prej tij, kështu që ishin ndarë me dashjen e tyre.

Ai kishte shkuar në Indi me kapitalin e tij dhe atje sipas një legjende të çuditshme që tregohej në familjen tonë, e kishin parë njëherë që i kish hipur një elefanti, i shoqëruar nga një babuin (majmun), por unë mendoj se do të ketë qenë një babu (indian që kish studiuar në Angli) ose begum (zonjë fisnike angleze). Sidoqoftë pas dhjetë vitesh nga India erdhi lajmi se ai kishte vdekur. Asnjëri nuk di se çfartë përshtypje i bëri tezes ky lajm sepse, menjëherë pas ndarjes, ajo mori përsipër emrin që kish pasur kur ishte vajzë, bleu një vilë të vogël në një fshat buzë detit, larg nga vendi ynë, u vendos atje bashkë me një shërbëtore dhe pastaj e kaloi jetën në vetmi të plotë.

Më duket se ajo e kish dashur shumë njëherë tim atë, por ishte zemëruar për vdekje me “të që ditën që ai ishte martuar për arsye se nëna ime ishte kukull prej dylli. Ajo nuk e kishte parë kur nënën time, por e dinte se kjo nuk i kishte mbushur ende të njëzetë vitet. Im atë dhe Betsi nuk u takuan më kurrë. Ai ishte edhe njëherë më i madh nga mosha se nëna ime kur u martuan dhe skish ndonjë shëndet të mirë. Vdiq pas një viti dhe, siç thashë edhe më sipër, gjashtë juaj para se të vija në këtë botë…

 

 

Jeto  I Lumtur

Scroll to Top