Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar këtu
Ministria e Jashtme e Turqisë thirri ambasadorin gjerman në Ankara të martën për të protestuar ndaj komenteve të bëra nga një politikan i lartë gjerman, i cili e krahasoi presidentin Recep Tayyip Erdogan me “mi të vogël kanalizimesh”, shkruan Retuers.
“Ne dënojmë në termat më të ashpër deklaratat fyese të bëra nga Wolfgang Kubicki, nënkryetari i Parlamentit Federal Gjerman, për presidentin tonë (Erdogan) në një fjalim gjatë fushatës zgjedhore të shtetit të Saksonisë së Ulët”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke Tanju Bilgic në një deklaratë.
“Deklarata të tilla të pahijshme në thelb japin një ide të nivelit politik dhe moral të Kubickit dhe zbulojnë vulgaritetin e tij”, shtoi ai.
I kontaktuar nga Reuters, Kubicki konfirmoi se ka thënë diçka të tillë gjatë një takimi të fushatës zgjedhore, ndërsa përpiqej të tërhiqte vëmendjen për një rritje të numrit të emigrantëve të paligjshëm që lëvizin nga Turqia përgjatë të ashtuquajturës rrugë ballkanike drejt Gjermanisë.
Kubicki, një ligjvënës nga Partia Demokratike e Lirë (FDP), një nga partitë në koalicionin qeverisës të Gjermanisë, ka thënë se Erdogani kishte bërë një marrëveshje të mirë për Turqinë kur ra dakord të frenonte numrin e refugjatëve që hynin në Bashkimin Evropian në vitin 2015.
“Por në të njëjtën kohë duhet të theksojmë se vala e refugjatëve përgjatë rrugës ballkanike (nga Turqia) po rritet sërish, që është një sfidë për politikën e jashtme dhe të brendshme gjermane”, shtoi ai.
Turqia është një kandidate për anëtarësim në BE, por negociatat kanë ngecur prej kohësh mes mosmarrëveshjeve mbi një sërë çështjesh, duke përfshirë të dhënat e Ankarasë për të drejtat e njeriut, migrimin dhe gjeopolitikën.
Fyerja e presidentit është një vepër penale në Turqi, ku Erdogani dhe partia e tij në pushtet AK janë në krye të vendit tash e dy dekada.