Vladimir Putin po e sheh veten gjithmonë e më shumë të izoluar ndërkombëtarisht, por edhe në pozicion jo shumë të mirë me rrethin e tij të ngushtë. Kështu shkruan “The Washington Post”, bazuar në informacionet e zbuluara nga shërbimet e inteligjencës amerikane.
Sipas këtij burimi, një anëtar i rrethit të brendshëm të Presidentit rus e ka qortuar atë për dështimin e trupave ruse në territorin ukrainas, veçanërisht javët e fundit, pas tërheqjes së ushtrisë ruse përballë kundërsulmit të papritur nga ukrainas në Kharkiv dhe në Kherson.
Ky person, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, i ka shprehur Putinit shqetësimin e tij për keqmenaxhimin dhe gabimet e bëra nga drejtuesit ushtarakë.
Zelensky: Rusia po përgatit popullin për sulme bërthamore
“Që nga fillimi i pushtimit, ne kemi qenë dëshmitarë të alarmit në rritje të anëtarëve të ndryshëm të rrethit të brendshëm të Putinit. Vlerësimet tona sugjerojnë se ata janë veçanërisht të mërzitur për humbjet e fundit ruse dhe mangësitë ushtarake”, tha një anëtar i shërbimit të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara për gazetën amerikane.
Përkundër gjithë kësaj, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, siguroi javë më parë në një intervistë për “The Washington Post” se ka pasur disa herë mosmarrëveshje, megjithëse, sipas tij, “këto gjëra janë pjesë e procesit të zakonshëm të punës”.
Disa ditë më parë, një burim anonim rus i konsultuar nga “Daily Mirror” tregoi se cili mund të jetë fundi më i mundshëm i liderit të Kremlinit. “Një kryengritje ushtarake është fundi më i mundshëm i qeverisë së Putinit.
Elita ushtarake e Moskës nuk ka gjasa që të lejojë Vladimir Putinin të lëshojë armë bërthamore në luftën e tij të dështuar kundër Ukrainës. Përballë pamaturisë së tij dhe shmangies së përdorimit të armëve bërthamore, ata me shumë gjasa do të bëjnë një grusht shteti për ta rrëzuar atë”.