JiL.al - Jeto i Lumtur

Sulmet kibernetike nga Irani, një ekip i NATO-s zbarkon në Shqipëri (DETAJET)

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

NATO ka sjellë në Tiranë një ekip për të rritur sigurinë e sistemeve të brendshme, pas sulmeve të fundit kibernetik që dyshohet se kanë ardhur nga Irani.

Vizita vjen pas komunikimit të Kryeministrit Edi Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Jens Stoltenberg. Delegacioni i kryesuar nga zv.asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt z. James Appathurai u takua fillimisht me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.

Në një deklaratë për shtyp me zv/sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, James Appathurai, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes nuk janë prekur nga sulmi për shkak se janë të shkëputura nga rrjeti i përgjithshëm i komunikimit dhe informacionit.

“Aleatët tanë dënuan ashpër sulmet dhe dolën në krah të Shqipërisë përmes deklaratave të ndryshme dhe asistencë në fushën kibernetike. Pas 5 javësh punë intensive është bërë e mundur rikthimi i sistemeve në shërbim të qytetarëve të vendit tonë.

Këto sulme kanë treguar se nuk mund të jemi mbrojtur në mënyrë permanente por se duhet të jemi vigjilentë duke investuar më shumë në drejtim të luftës kibernetike. Investime të shumta janë bërë këto vite por kjo është luftë e re pas agresionit rus në Ukrainë që ka prishur ekuilibrat dhe ka ndryshuar skemën e sigurisë.

Sa i përket sistemeve të sigurisë dhe mbrojtjes ato kanë qenë të paprekura nga sulmi sepse janë të shkëputura dhe nuk janë në rrjetin e përgjithshëm të komunikimit dhe informacionit. Megjithatë ne kemi rritur sistemin e mbrojtjes.

Dua të falenderoj aleancën për deklaratën e bërë në mbështetjen e vendit tonë dhe asistencën për të penguar sulmet kibernetike në të ardhmen.

Vizita e ekipit të sotëm është dëshmi e solidaritetit dhe reagimit të menjëhershëm të aleancës ku ne bëjmë pjesë, NATO. Duke qenë një prej aleatëve të NATO-s na bën të jemi të sigurtë. Duhet vëmendje dhe më shumë vigjilencë nga të gjithë. Ne do bëjmë pjesën tonë të mbështetur nga aleatët tanë”, u shpreh Peleshi.

Ndërsa, zv.ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt, James Appathurai garantoi ndihmën teknike që do i jepet vendit tonë për të ndërtuar një rrjet mbrojtës ndaj sulmeve kibernetike. 

“Ne e shohim që Shqipëria po pëson sulme shumë të rënda, të mëdha kibernetike. Por nuk jeni vetëm se ne do ju mbështesim. Doja të theksoja përpjekjet që ka bërë shteti shqiptar për të përballuar këto sulme që janë bërë.

Ndihma ka ardhur nga NATO në nivel teknik por dhe në nivel individual nga kompani dhe struktura të ndryshme. Unë dhe ekipi im kemi ardhur këtu për disa arsye të ndryshme, por fillimisht arsyeja kryesore është për të parë situatën dhe për të bërë një koordinim të aleatëve dhe zyrave qendrore të NATO-s në lidhje me sulmin kibernetik që ka ndodhur”.

Zv.ndihmës Sekretari tha se do të shihen gjithashtu “nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar një rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve kibernetike dhe Shqipëria po bën hapa përpara në këtë fushë.

 Për faktin e sulmeve në një shkallë të gjerë dhe për një kohë të gjatë që janë bërë në drejtim të një vendi të NATO si është Shqipëria, mund të jeni të sigurt për mbrojtjen praktike të aleancës”, tha ai.

Scroll to Top